Nga Marina Kërçeli
19 dhjetor, mëngjes...
Sot ky mëngjes dhjetori më kujtoi diçka kaq aktuale dhe të dhimbshme për familjen time por dhe për shumë të tjera shqiptare... Valixhe, njerëz që vijnë dhe ikin nga toka e tyre. Edhe pse jam rritur dhe e kam përjetuar në palcë emigracionin qysh e vogël që nuk pata kurrë mundësinë që jetoja krah babait tim sot sërish mu rihap një plagë. Prej muajsh ndeshemi me shifra tronditëse të emigracionit, duke dëgjuar në çdo cep të tokës tonë që i largohen bijtë e saj.
Shqipëri, vallë kush të ka mallkuar për këtë plagë me bijtë e tu?
E di që nuk duhet të drejtojmë gishtin për zgjedhjen që bëjmë vetë për veten tonë, por duhet të dish se bijtë e tu çdo ditë po ndahen nga familja për të pasur para në tokën e huaj. Shpesh zgjedhjet e momentit, revolta, bën që dyert e aeroportit të mbushen plot. Lot nënash që ndahen me bijtë e tyre, të dashur që nuk shihen me muaj dhe trupa të cilët nuk e dinë fatin e tyre pas biletës së avionit!....
Çdo ditë opinioni shqiptar tronditet me bij të ‘lërë’ në tokë të huaj, për të fituar pavarësinë ekonomike, kush për hir të fatit dhe kush për të lënë në baltë këtë trazirë sociale që po ndodh. Them trazirë sociale, pasi çdo ditë një ngjarje apo një tjetër, na nxit për t’u larguar, vrasje, përdhunime, papunësi dhe shfrytëzim i kapaciteteve tona për disa kacidhe. Nuk është e lehtë për ne që të braktisim vitet që prindërit tanë sakrifikuan dekada, për të ndërtuar të ardhmen tonë si të rinj të shkolluar, që pena shqiptare të mos shuhej. Por sot të dhënat na tregojnë se dhe dëshira për të nxënë është rrënuar, si pasojë e një ose disa faktorëve por ç’rëndësi ka kjo. Shkollat po boshatisen, numri i lindjeve ka rënë dhe emigracioni është në pikun më të lartë. Si e re që jam i trembem të ardhmes time dhe familjes që do t’i krijoj, por plaga sociale që ka lënë emigracioni tek unë më step që t’i drejtohem Perëndimit për të kërkuar diçka të largët për një pasuri që në një moment trazire shuhet. Kovidi e tregoi se pasuria monetare nuk kishte asnjë vlerë përballë asaj që ne si shoqëri i ishim larguar prej disa vitesh në kërkim të materies, pasi vetë një familje e bashkuar arrin të mposhtë dhe një sëmundje që as nuk e sheh dhe as nuk e prek.
E sot që shoh lot në çdo vajtje-ardhje, baraspeshoj gëzimin me trishtimin dhe zgjedh të jetoj të ardhmen në tokën që të parët tanë kanë derdhur gjak që ne të krenohemi se jemi shqiptarë!/dritare.net