Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Psikologë është koha të merreni me familjen, jo me BigBrother!

Psikologë është koha të merreni me familjen, jo me

Nga Malvina Tare

Mediat publikuan lajmin e kobshëm se një nënë me 3 fëmijët e saj ishte vetëmbytur në lumin Buna, e pas kësaj ngjarje fshihej dhuna në familje. Një baba që vret e pret brenda shtëpisë me të mitur, ama jashtë saj s’di e s’ka as punë e as zanat.
Babai u arrestua për shtyrjen drejt vetëvrasjes së nënës me 3 fëmijët e saj. Kjo shkon përtej një krimi. Kjo është një mizori brenda një familje me 3 filiza.

Sërish mediat krahas lajmit kishin bashkangjitur një fotografi ditëlindje. Një festë si ato të modës së fundit që ne shqiptarët kemi nisur e bëjme, ditëlindje e tollumbace, por një fasadë e shëmtuar e jetës të varfër shpirtërore në familje.
E di që do thoni se festa jo domosdoshmërisht është e keqe, por në këtë zallamahi të rrjetit, postimeve, shitje, blerjeve, luksit online është shumë e vështirë të ruash ekuilibrin. Dhe ti kërkon nga vetja, kërkon e kërkon pa ditur se ku është faji, gabimi, mungesa.

E dorëzuar përpara dhimbjes shpirtërore kjo nënë ka kryer veprimin fatal.
Prandaj unë them se psikologët sot duhet të jenë në terren, duhet të shkojnë e të edukojnë në familje si dikur për planifikimin familjar. Psikologët nuk mund të jenë më vetëm për të shpjeguar BigBrotherin. Ata duhet të jenë në terren, në fshat, e qytet për të folur, për familjen, për mërzinë, për stresin, për edukimin, për marrëdhëniet.

Ah, marrëdhëniet, që ne i trajtojmë pa asnjë takt, pa respekt.
E trajtojmë gruan si plaçkë e burrin si send. Gabime nga të dyja palët, pa asnjë zgjidhje, pa komunikim, pa fjalë.

Ne e kemi akuzuar këtë shoqëri se ka prodhuar shumë psikologë, tej mase, por ku janë? Ku kanë shkuar? Erdhi koha!
Konsulta psikologjike parandalon krime, krime të kobshme brenda familjes.

Fjala parandalon dhunën, fjala dënon dhunuesin, fjala shpëton si shpëtpjnë ilaçet e doktorit një të sëmurë edhe pse është në prag të vdekjes.
Fjala ngjall, komunikimi shpëton jetë. Jetë grash e fëmijësh, që po ikin kot nga duar të burrave të parealizuar, që zihen me veten, me botën, me vetë jetën./dritare.net