Prokuroria dhe Gjykata Speciale e Kosovës si alibi për Rusinë
Dritare.net
Nga Dritan Goxhaj
Çdokush që në vitin 1999 ka qenë në moshë madhore dhe i ka ndjekur ngjarjet e atij viti është dëshmitar i ndërhyrjes së NATO-s kundër forcave jugosllave në Kosovë e Serbi. Të gjithë ju jeni dëshmitarë se që në atë kohë e deri më sot Serbia, atëhere nëpërmjet Ministrit të saj të Informacionit Aleksandër Vuçiç dhe sot nëpërmjet po këtij përsoni në detyrën e Presidentit të Serbisë, nuk pushon së akuzuari dhe etiketuari ndërhyrjen e NATO-s në 1999 si agresion ndaj Serbisë. Të njëjtin qendrim në favor të kësaj akuze kanë mbajtur dhe mbajnë akoma të gjitha forcat e majta politike në Evropë në përgjithësi dhe në ish-Jugosllavi në veçanti. Madje, njëri nga mbrojtësit e kësaj teze ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe një nga përkrahësit më të mëdhenj dhe miqtë e Lëvizjes VetëVendosje dhe në veçanti të Kryeministrit Kurti, filozofi nostalgjik i ish-jugosllavisë, slloveni Sllavoj Zhizhek.
Megjithatë, deri tani, kjo tezë e Serbisë e argumentuar filozofikisht nga miku i Vetëvendosjes ka mbetur vetëm si tezë dhe nuk është ngritur në nivele juridike, por Serbia dhe miqtë e saj kanë nisur prej vitit 2011 me anë të Rezolutës 1782 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që të hedhin bazat e para që në një të ardhme jo shumë të largët të mund të ngrenë ose artikulojnë edhe nga ana ligjore tezën e tyre se ndërhyrja e NATO-s ndaj Serbisë dhe forcave të saj për të ndaluar genocidin serb ndaj shqiptarëve në Kosovë të konsiderohet si agresion.
Rezoluta 1782, të cilën ne e njohim si Rezoluta e bazuar mbi raportin e Dik Martit ishte vetëm hapi i parë i një operacioni të mirëmenduar dhe mirëorganizuar me objektiv primar UÇK-në, ndërsa objektiv sekondar, i cili është edhe objektivi madhor i këtij operacioni, NATO-n. Për të arritur këtë objektiv madhor me rëndësi gjeopolitike dhe gjeo-strategjike, në veçanti për Rusinë, por në të cilin e ka gjetur veten edhe interesi genocidial i Serbisë së Vuçiçit, Rusia dhe Serbia përdorën të gjitha lidhjet mafiozo-politike që kishin me të gjitha forcat politike të Evropës në mënyrë që ato të përdornin të gjithë fuqinë e tyre dhe presionin e mundshëm që tani të fillonte realizimi i fazës së dytë të këtij operacioni. Faza e dytë ishte ndërtimi i një gjykate dhe prokurorie të veçantë që të merrte nën akuzë UÇK-në dhe vetëm atë. Ngritja e kësaj prokurorie dhe gjykate në vitin 2015, të njohura sot si Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës shënojnë edhe fundin e fazës së dytë të këtij operacioni anti-NATO.
Faza e tretë e këtij operacioni të sofistikuar rus dhe të mirëinformuar nisi me artikulimin e akuzave ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Për këtë qëllim u akuzuan dhe arrestuan qëllimisht udhëheqësit politik të UÇK-së. Them politik dhe e kam theksuar edhe më parë pasi Hashim Thaçi ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Politike të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi kishte detyrën e zëdhënësit të UÇK-së dhe, njëkohësisht, ishte edhe anëtar i Drejtorisë Politike, Kadri Veseli kishte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Shërbimit Informativ të Shtabit të Përgjithshëm të UÇKsë dhe, gjithashtu, ishte edhe anëtar i Drejtorisë Politike, ndërsa Rexhep Selimi kishte detyrën e Kryeinspektorit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjithashtu ishte edhe anëtar i Drejtorisë Politike të udhëhequr nga Hashim Thaçi. Të katër këta të akuzuar e të ndaluar nga këto Dhoma Speciale nuk kanë mbajtur për asnjë moment detyra komanduese dhe pikërisht vetëm se kanë mbajtur detyra politike edhe janë përzgjedhur nga ana e hartuesve të këtij operacioni për t’u akuzuar. Kjo fazë e tretë ka për qëllim që të godasë përfaqësinë politike të UÇK-së pasi këto persona janë edhe firmëtarë të Marrëveshjes së Rambujesë, marrëveshje të cilën nuk e firmosën serbët dhe, si pasojë, erdhi edhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s.
Fillimi i procesit gjyqësor shënon edhe fillimin e fazës së katërt të këtij operacioni, fazë kjo që mbyllet me dënimin e tyre. Më pas do të fillojë edhe faza e pestë, e cila ka të bëjë me fillimin dhe kulmimin e një propagande speciale nga ana e Serbisë dhe mediave e njerëzve që kontrollohen nga ajo se NATO ka bërë marrëveshje me një ushtri dhe me persona që janë kriminelë lufte. Dhe, si e tillë, kjo e bën të pavlefshme moralisht marrëveshjen e Rambujesë. Pasi të arrijnë suksesin propagandistik, do të nisin fazën e gjashtë dhe të fundit të këtij operacioni ruso-serb. Do të akuzojnë juridikisht në gjykatën ndërkombëtare të OKB-së ndërhyrjen ushtarake të NATO-s si agresion pasi ndërhyrja e tyre ka ardhur si pasojë e një marrëveshjeje të firmosur vetëm nga UÇK-ja dhe përfaqësuesit e saj politik, tashmë të akuzuar dhe arrestuar padrejtësisht e nesër edhe dënuar po padrejtësisht nga kjo gjykatë e cila është vënë e gjitha në shërbim direkt të Serbisë dhe indirekt të Rusisë.
Jam i bindur se të gjithë ata të cilët për arsye personale dhe vetëm personale e kanë përkrahur, e përkrahin dhe bashkëpunojnë me këtë prokurori e gjykatë janë duke bërë pyetjen: “Po interesi i Rusisë ku qëndron këtu?!”. Interesi i Rusisë në gjithë këtë operacion ruso-serb është krijimi i kushteve për Serbinë që kjo e fundit të arrijë të ngrejë një akuzë ligjore ndaj ndërhyrjes së NATO-s, pasi kështu Rusia do të vinte NATO-n në një pozitë të atillë që, duke e akuzuar për agresion ndaj Serbisë, t’i bllokonte mundësinë NATO-s që kjo e fundit të mos mundet, qoftë edhe moralisht, t’i konsiderojë si agresion sulmet e Rusisë ndaj Gjeorgjisë në 2008 dhe atë ndaj Ukrainës në 2022. Pra, në sytë e të gjithë komunitetit ndërkombëtar të vendoset kështu një barazi ndërmjet dy palëve ndërluftuese sot në Ukrainë, NATO-s dhe Rusisë. Dhe për realizimin me sukses të këtij operacioni juridiko-politik ruso-serb është ngarkuar dhe angazhuar Prokuroria Speciale dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës të vendosura në Hagë.
Rrjedhimisht, të gjithë ata që e miratuan këtë gjykatë, në mënyrë të pavetëdijshme, kanë rënë në grackën roso-serbe, ndërsa ata që edhe sot vazhdojnë t’i përkrahin politikisht dhe publikisht këto dy institucione juridike të Kosovës po i shërbejnë me vetëdijë të plotë këtij plani ruso-serb, ndërsa ata që bashkëpunojnë me këto dy institucione qoftë në dhënien e çdo lloj ndihme juridike, qoftë edhe si dëshmitarë të mbrojtur apo të fshehur, janë duke punuar në shërbim të interesave ruso-serbe në dëm të interesit të NATO-s dhe, konkretisht, janë duke tradhëtuar interesat e aleancës perëndimore politiko-ushtarake më të madhe që ka sot bota, si dhe njëkohësisht janë duke kryer edhe tradhëti kombëtare dhe shtetërore, tradhëti për të cilën bilbili i gjuhës shqipe Naim Frashëri ka shkruar:
Hiqni dorë, hiqni dorë!
Mblithni mëntt’ e turpërohi,
Mos u bëni trathëtorë,
Se pastaj do të pendohi.
Burgu 313, Tiranë/dritare.net