Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Nga 18 marsi shqiptarët lëvizin pa viza në Kinë!

Nga 18 marsi shqiptarët lëvizin pa viza në Kinë!

Nga Edmond Laçi

Duke filluar nga 18 marsi i këtij viti shtetasit shqiptarë mund të shkojnë pa vizë në Republikën Popullore të Kinës. Marrëveshja ndërmjet qeverive të të dy vendeve për heqjen reciproke të vizave për mbajtësit e pasaportave të zyrtarëve publikë dhe të ato zakonshme ishte nënshkruar në Tiranë më 16 janar 2023. Në fakt qeveria shqiptare e kishte zbatuar që prej vitit 2018 politikën e heqjes së vizave për shtetasit kinezë gjatë sezonit turistik, ndërsa një vit më vonë, përgjatë të gjithë vitit. Ndërsa shtetasit shqiptarë mund të udhëtonin pa viza drejt pjesës kontinentale të Kinës, vetëm në provincën tropikale Hainan, ku gjenden edhe plazhet e mrekullueshme të Sanyasë, të njohura si “Phuketi” kinez. Shqiptarët gjithashtu udhëtojnë pa viza edhe në Rajonet e Posaçme Administrative, Hong Kong e Makao.

Sipas marrëveshjes që hyn në fuqi në 18 mars 2023, shtetasit e të dy vendeve, të cilët posedojnë pasaporta të zyrtarëve publikë apo të zakonshme, përjashtohen nga kërkesat për vizë kur qëndrojnë në vendin tjetër jo më shumë se 90 ditë, çdo 180 ditë nga data e hyrjes. Për shtetasit shqiptarë që synojnë një qëndrim më të gjatë se tre muaj, ose të angazhohen në aktivitete të tilla si studimi, punësimi, qëndrimi afatgjatë etj., duhen zhvilluar procedurat përkatëse të aplikimit për vizë.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje Shqipëria bëhet vendi i katërt evropian që heq vizat për shtetasit kinezë, bashkë me Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë e Bjellorusinë. Covid 19 ndërpreu fluksin e pritur të turistëve kinezë drejt Shqipërisë, duke ditur se para pandemisë ata renditeshin në vendin e parë në botë si kontribuuesit më të mëdhenj në industrinë e turizmit. Çdo vit numri i kinezëve që dilnin jashtë vendit për turizëm llogaritej deri në 130-140 milion, me shpenzime turistike që arrinin nga 115 deri 130 miliardë dollarë. Vetëm gjatë 9 muajve të parë të vitit 2019, kur kishte nisur aplikimi i heqjes së vizave, Shqipërinë e vizituan rreth 18 mijë shtetas nga Kina. Ndërsa në vitet paraardhëse ky numër shkonte maksimumi deri në 6 mijë. Por tashmë që Kina është hapur plotësisht, marrëveshja mes dy vendeve do të marrë një tjetër vlerë. Vetëm para pak ditësh, Kina dhe Shqipëria nënshkruan edhe "Memorandumin e mirëkuptimit për bashkëpunimin turistik” ndërmjet dy ministrive të Kulturës dhe Turizmit.

Nga ana tjetër, 18 marsi më shumë se për turizmin, do të jetë një shtysë e madhe për biznesin dhe biznesmenët shqiptarë. Në tre vitet e fundit dhjetëra prej tyre pothuajse ndërprenë lidhjet me kompanitë e tyre furnizuese për shkak të pandemisë dhe derivateve të saj, sidomos shumëfishimin e çmimeve të transportit dhe krizës globale. Megjithatë Kina vazhdoi të ishte një ndër partneret kryesore tregtare të Shqipërisë. Sipas të dhënave nga Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) Kina renditet ndër katër partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë gjatë 2022-it (Italia, 24 për qind, Zvicra, 11.1, Turqia, 7.7 dhe Kina, për qind). Vitin e kaluar, vëllimi i tregtisë ndërmjet dy vendeve arriti në 770 milionë dollarë, me një rritje prej 17.6 % në krahasim me vitin 2021. Ndërsa në vitin paraardhës ky vëllim ishte rritur me 26 për qind. Vlen të përmendet se gjatë vitit 2020 importet e Kinës nga Shqipëria pësuan një “boom” të vërtetë, duke u rritur 102.6 për qind në krahasim me një vit më parë.

Me heqjen e vizave dhe kufizimeve antiepidemike, eksportet shqiptare me Kinën pritet të rriten më ndjeshëm, pasi në dhjetëra panairet e mallrave të konsumit që zhvillohet çdo vit në Kinë, tashmë kanë mundësi të vijnë më shumë kompani shqiptare, duke prezantuar produktet e tyre si vaji i ullirit, mjalti, bimët mjekësore, vera, etj., të cilat pëlqehen shumë./dritare.net