Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Jeta është luftë dhe lufta për jetën e mund Covid-19

Jeta është luftë dhe lufta për jetën e mund Covid-19

Nga Esad Dujaka

Do të mbahet në mend për shumë vite e dekada e ndoshta edhe shekuj se nga na erdhi e si na gjeti ky COVID-19?

Nuk ishim të përgatitur as psikologjikisht për t‘u përballur me këtë të ligë, sepse shkenca e mjekësisë e shpjegon, sipas ekspertëve, se njeriut i duhet disa vite të mira për të dalë nga kriza mendore e psikologjike e një krize, siç na ishte lufta e tmerrit të zi që ndodhi në vitet e 90-ta në Kosovë e mbi këtë popull të pafajshëm i cili nuk kërkonte asgjë më pak e asgjë më shumë veç se të jetë I LIRË si të gjithë popujt e tjerë të botës së civilizuar...

Po t’i kthehem COVID-19! Duhet të kemi edhe ne si vend i vogël institucione shkencore më të përgatitura që duhet të merreshin me këtë të ligë. Tash s’po i qesim të gjitha të ligat sheshit tonat e të pushteteve të deritashme që nuk u dëshmuan fatkeqësisht si jo të zonjat në mëkëmbjen e shëndetësisë, të arsimit, të ekonomisë e të segmenteve të tjera...Do të kenë kohë të debatojnë, por jo edhe të zihen ndërveti për interesa të ulëta partiake-politike, por gjithnjë duke menduar e vepruar për popullin dhe vendin! Të lutemi e të besojmë se kështu do të jetë! Amen!

* * *

Po mendoja një natë të vonshme kur kisha një kollitje të thatë: Erdhi COVIDI-19! Edhe te unë në katin e 4-të të Kodrës së Diellit, po si më gjeti! Ani, more mirë se ardhtë, si të jetë shkruar! Do të bëhem gati të luftojë! SE KJO JETË ËSHTË LUFTË! Duket se fati dhe jeta im e deshi që qysh në rini të përballem me një rënie të shëndetit. PARA SHUMËU DIAGNOSTIFIKOVA ME NJË KANCER TË FYTIT...Nuk e bëra të madhe, familjes, dy-tre miqve dhe i hyra luftës për jetë a vdekje! Nuk e pata lehtë! Pas një operacioni mjaft të ndërlikuar, me dëshirën time as pa citostatik e as pa rrezatim e vazhdova jetën, u ktheva në “Rilindjen” e ndaluar (tash gazeta “Bujku”) dhe vazhdova punën si një gazetar i zakonshëm...

Po kthehem në ditët e sotme! Po lexoj në FCB informacione nga më të ndryshmet, ai njofton se është infektuar me COVID-19, ai tjetri ankohet dhe derdh mllefe drejt atyre tjerëve që nuk janë kujdesur për te!?

Po, në situata të tilla njeriu nuk është objektiv (sipas shkencës) dhe kërkon fajtor jashtë vetvetes! Pra, nuk mund ta marr si të arsyeshme akuzën e të tillë njerëzve sepse faji, dorën në zemër është pikërisht te PAKUJDESIA E TYRE QË KANË SHKUAR TË PAMBROJTUR SI NË DASËM NË AMBIENTE TË PASIGURTA! Aq më paradoksale që në mesin e atyre që “u përqafuan” me këtë virus kinez, ishin edhe personalitete politike, shkencore, kulturore e deri te ato më të thjeshta që të gjithë janë njerëz dhe mbajnë me vete shpirt!

***

Për fund: Ajo që mua më mbajti të fortë ato ditë para tri dekadave, kur bëja luftë për jetë a vdekje ishte BESIMI NË VETVETE DHE DASHURIA PËR JETËN, E CILA NJËHERË VJEN POR SE EDHE VDEKJA ËSHTË PJESË E JETËS...

TË DORËZOHEMI PARA KOHE NUK BËNË ASSESI!

LUFTA PËR JETË E MUND FRIKËN!

JETA ËSHTË LUFTË FUND E KRYE!

DO TA FITOJMË EDHE KËTË LUFTË!

Po, si shumë të tjera të mëdha që i ka mposhtur njerëzimi gjatë historisë...

U pafshim në kohë më të mira, e ato kohë do të vijnë me siguri, të jemi optimistë se ndryshe nuk bën!/dritare.net