Letër Rudinës: Si i shpoja meshkujt me paramandë, kur më ngacmonin në autobus!
Dritare.net
Gazetarja Rudina Xhunga hapi e para nismën “Edhe mua më ka ndodhur” pasi rrëfeu një përjetim personal të një ngacmimi në autobus, kur ishte 15 vjeç. Gjatë rrëfimit të saj, gazetarja dha një mesazh mjaft të rëndësishëm për të gjitha gratë dhe vajzat që kanë pasur dhe kanë situata të ngjashme, të cilat vënë në provë çdo grua!
Shumë vajza e gra treguan histori të ngjashme, me siguri për herë të parë folën, duke marrë shembull nga një tjetër grua. Shumë burra folën gjithashtu, komentuan dhe ofenduan, gratë dhe vajzat. Ndaj për maniakët e autobusit apo ato të rrjeteve sociale, zonja Xhunga u bëri thirrje të gjithë vajzave dhe grave t’i denoncojnë dhe t’i tregojnë.
Ndërsa xhironte Tregimin e Ditës në autobus, një zonjë që u gjend afër e dëgjoi dhe dërgoi këtë mesazh.
"Ky mesazh do doja t’i transmetohej direkt z. Rudina Xhunga. Jam pikërisht ajo zonja që po pohonte me kokë kur bëhej intervista në autobus për maniakët e autobusit.
Kam qenë 18-19 vjeç në vitet ‘90 dhe jam dëshmitare e këtij fenomeni.
Nëse ju vlen për ta përforcuar dëshminë tuaj, mënyra ime për t' i larguar maniakët ka qenë që mbaja një paramandë në çantë dhe i shpoja. Tani jam 52 vjeç dhe nuk jam nga ato që nuk flas.
Përkundrazi, e ngre zërin fort kur ka diçka që më lëndon.
Ju ndjek vazhdimisht dhe me pëlqen shume Dritarja juaj.
Ju uroj suksese te mëtejshme dhe ju përgëzoj shumë për çfarë bën. Faleminderit ju që flisni edhe për ato gra që nuk mund të flasin./dritare.net