Letër për Rudinën/ U keqkuptua mesazhi yt për Adriatik Lapaj!
Dritare.net
Letër për Rudinën
Rudina, e vlerësoj pa masë qëndrimin tënd të palëkundur që, mua më duket, edhe sikur sa vjen e forcohet se Shqipëria ka të ardhme.
Pozitiviteti yt, ndërkohe që publiku bombardohet cdo minutë me lajme të kobshme per Shqipërinë dhe Shqiptarët, vec i bën mirë këtij vendi, jashtë e pavarësisht numrit të ndjekësve.
Në këtë kuader, uroj me shpirt që ti të mos dekurajohesh e të vazhdosh ta bësh këtë nga Dritare TV dhe jo vetëm.
Thënë këtë, do të ftoja që, si person me influencë në publik, të tregohesh më e përmbajtur ne lidhjen e kauzave.
Pse nje grup njerëzish vendosin të krijojnë një lëvizje apo parti dhe per këtë perdorin nje emër domethënës, ndjellës apo sido qe ta quajmë një gjë që na ngjit apo na pelqen, kjo nuk duhet lidhur me besimin tënd se ky vend ka te ardhme.
E pret ti apo jo, e mendon ti apo jo, ketë monolog ka te ngjarë që nje pjesë e mirë e publikut që të ndjek, ta marrë si mbështetje për këtë lëvizje të re dhe kjo pavaresisht se ti shprehesh që nuk e njeh Adriatikun.
Por fakti është se vetem emri i nje lëvizjeje apo partie nuk do të thotë asgjë.
Ne jemi deshmitarë që në shumë raste, sa më ndjellës për ndjenjat e Shqiptarëve të ketë qenë emri, aq edhe më i zhgënjyer ka ngelur publiku me kalimin e kohës.
Kështu, po të nisesh nga emri, a ka më bukur se Parti DEMOKRATIKE, kur të gjithë ne kërkonim një "Shqipëri si gjithë Evropa"; a ka emër më të bukur se Parti SOCIALISTE, kur kudo sot në botë flitet për progresiven dhe socialen.
A ka emër më të bukur se Vetvendosje apo Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Eja ti të lutem dhe më gjej një emër më të bukur se Lëvizja Socialiste për Integrim apo tani Partia e vetë Lirisë.
E pra, në këtë kuptim, “Shqipëria Bëhet” është thjesht një tjetër emër i bukur, por që nuk ka kurrfare vlere nëse nuk analizojmë njerëzit të cilët qëndrojnë pas kësaj lëvizjeje. Ç'përfaqesojnë ata? Cilat janë biografitë e tyre profesionale, duke u ndalur në arritjet por edhe në gabimet që mund të kenë bërë në jetë? Cilët janë kolegët e tyre dhe çfarë thonë ata/ato për këta njerëz? Po jeta e tyre personale cila është? Pra, që nga lindja, djemë, vëllezër, burra/gra, kunetër/kunata, dhëndra/nuse e shok/shoqe të kujt janë? Cilat jane kauzat që kanë mbështetur këta njerëz dhe cilat janë ato që kanë refuzuar ti mbështesin, nëse ka të tilla, edhe pse parimisht mund të kenë qenë të drejta?
Çfarë lidhje kanë këta njerëz me klasën e vjetër politike?
E kështu me radhë pyetje pas pyetjeje deri sa të kemi bërë një radiografi panoramike të këtyre njerëzve.
Mund edhe të ndodhë, por unë të paktën nuk dua ta besoj, se ti mund të marrësh në punë në Dritare TV një person vetëm se ky/kjo del me një parrullë tërheqëse për ty.
Tani, imagjino këtë personin ta marrësh në punë për të drejtuar shtetin vetëm se ka zgjedhur një emër tërheqës dhe shpresëdhënës.
Besoj se ti e kupton se në cfarë depresioni ndodhet sot shoqëria Kosovare, kur edhe një person, Albin Kurti, që mendohej si i pakorruptuar, i pakorruptueshëm, i pashantazhueshem dhe që kish zgjedhur një emër brilant për lëvizjen e tij në Kosovë, sic është LVV, jo vetëm që tregoi se nuk kishte asnjë nga këto cilësi, por ja doli deri sa ta fusë Kosovën ne listën e vendeve te sanksionuara nga Bashkimi Evropian.
Por le të kthehemi te kjo lëvizja e re. Une, por besoj edhe publiku i gjerë, presim që ju si gazetarë të bëni një "zhytje" të thellë në "detin" e jetëve private dhe profesionale të këtyre njerëzve për të nxjerrë prej aty cdo "amforë" me vlerë të vërtetë, por edhe cdo gomë makine apo shishe plastike që mund të gjendet aty.
E pra, publiku i gjerë, gra e burra Shqiptare qe punojne nga 8-10-12 orë në ditë, nuk besoj se kanë kohën dhe as ndonjë dëshirë të zjarrtë që pas pune të bëjnë edhe këtë gjë.
Ndaj, ju takon juve si media ta kryeni këtë punë për ta.
Në fakt ju takon të nxirrni cdo objekt nga ai fund “deti” që kam përmendur më sipër, sepse atëhere publiku e kupton vetë se cila është amforë e cila gomë makine.
Për hir të korrektësisë, kjo gjë nuk ju takon vetëm juve si gazetarë. Së pari, u takon personave të cilët krijojnë një lëvizje, që qysh në krye të herës, të bëjnë transparente gjithë jetën e tyre.
Kjo do bënte që, fjala vjen, Flori të mos vlerësohej vetëm si "ai i portokallisë" apo Adriatiku si ai i cmimeve të naftës. Fakti që ata nuk e kanë bërë këtë gjë, të paktën unë personalisht nuk e kam parë këtë gjëkundi, nuk është aspak premtues për këtë lëvizje. Kaq për emrin, lëvizjen dhe personat e perfshirë në të.
Gjatë monologut tënd, nëse nuk gaboj, shprehesh se "nuk ka gjë të keqe që një parti të financohet nga jashte". Kjo duhet të jetë absolutisht e ndaluar dhe në fakt është.
Një Parti Politike Shqiptare nuk mund dhe nuk duhet të sponsorizohet nga jashtë.
Shoqëria Civile është dicka tjetër, edhe pse personalisht mendoj se duhet bërë transparence maksimale edhe në atë sferë, gjë që nuk ka ndodhur deri më sot dhe nukse jam i habitur. Kam dyshime të forta që nëse nje ditë do bëhej transparencë e plotë e aktivitetit të OJQ-ve apo eksperteve qe ushtrojne aktivitetin e tyre ne Shqipëri, për nga fitimet, mpleksja e interesave dhe organizimi, ka të ngjarë që këtyre që merren me tregtimin e substancave të ndaluara tu duket vetja krejt diletantë.
Sado i përgatitur të jetë njeriu, qoftë edhe gazetar, dhe sado i kristaltë të jetë mendimi i tij/saj, një tekst i parapërgatitur dhe i lexuar rrjedhshëm e pa dilema apo alternativa, shpesh këto të pakuptimta, do zinte vend shumë më mirë në mëndjen e shikuesve.
Uroj, gjithashtu, të mos heqësh dorë asnjëherë nga pozitiviteti yt, por gjithmonë duke ruajtur një nivel të shëndetshëm skepticizmi.
Të uroj cdo të mire dhe një fundjavë të bukur.
P.S. Banoj në Tirane, por po të shkruaj nga Pogradeci. Një qytet i mrekullueshëm, me njerëz pastërtor, të sjellshëm e punëtore si dhe me një natyrë magjike. Për hir të së vërtetës edhe me një rilindje urbane dhe me nje shteg për bicikletat nga Pogradeci deri në Lin, 20 km, që e bëra sot, një fantazi, si pjesë e kësaj rilindjeje. Por sic ti e di mirë, ne bëjmë gjëra, por e kemi ende shumë të vështirë ti mirëmbajmë ato. Kështu që plehrat, shkatërrimi i stolave dhe dëmtimi i mbrojtëseve anësore të rrugës, të shoqërojnë në të gjithe gjatësinë e shtegut. Tung!/dritare.net