
Nga Kadrije Çako
Sot iu bashkua parajsës një engjëll. U zgjova e shokuar nga ky lajm i dhimbshëm. U largove para kohe, mësuese Irena. Nuk do t’i harroj kurrë ato vitet kur na mësove muzikën. Ti ishe kontakti ynë i parë me muzikën, me qetësinë e shpirtit. Ashtu siç ishe dhe ti vetë. Qetësi shpirti. Çdo herë mezi prisja të vinte ora e muzikës, të këndonim bashkë, të luanim dhe argëtoheshim. Mbase nuk i kapnim mirë notat, por s’kishte rëndësi se përherë na përmirësoje, na jepje më shumë. Na mësove kaq shumë ne, atyre para dhe pas nesh.
Prej dekadash ua ngulite në shpirt muzikën, nxënësve. Unë isha një prej tyre. Isha mes dhjetra nxënësve që përzgjodhe për koncertet e qytetit. Muzika jote më mësoi se vetëm përmes saj mund të jetosh e qetë, të duash fort, ashtu siç këndonim dhe përpiqeshim të kapnim Do maxhorin. Çdo festë, kombëtare dhe jo vetëm ne ishim aty, bashkë në kinema, në sheshe dhe këndonim. Çdo ditë ishim bashkë kur bënim prova. Na kritikoje me zërin tënd të butë, e ne mërziteshim. Po pastaj na thoshe, s’ka gjë se më shumë do të mësonim. Dhe mësuam aq shumë. E kam para imazhin tënd kur ishe para dërrasës së zezë, e ne ulur në tavolina dhe këndonim bashkë, qeshnim shumë. Muzika jote na qetësonte mendjen pas shumë orësh matematike, gjuhe, historie dhe gjeografie. Apo na zgjonte kur e kishim muzikën orë të parë. Ti ishe qetësia jonë.
Por sot ti qetësi ike. Ike, u bashkove me parajsën. Ike herët, shumë herët. Covid nuk të la. Të mundi. Ti u tregove e fortë, luftove më shumë se 20 ditë me të, por në fund të mundi. Ikja jote më trishton shumë se s’të thashë dot lamtumirë. Prandaj po ta them tani, këtu. Po të them “Faleminderit!” dhe “Më fal!”
Faleminderit që na mësove kaq shumë. Na fale kaq shumë. Më fal që s’të takova dot. Kishim vite që s’shiheshim e takoheshim. Më fal shumë. Largësia na ndau dhe sot na ndau dhe jeta. Sa keq që ne i kujtojmë njerëzit e mirë vetëm kur ikin. Po ty nuk të ka ikur shpirti. Është në çdo cep të shkollës, kinemasë, është brenda nesh, aty ku u ngulit muzika jote. Prehu në paqe mësuese Irena! Luaj melodinë më të bukur nga parajsa./dritare.net

















