
Kur gjunjëzohet civilizimi i shekullit XXI!
Dritare.net
Shekulli XXI, do të mbahet mend gjatë në historinë e njerëzimit, për shkak të dinamikave që ky shekull prodhoi.
Revolucioni teknologjik, inteligjenca artificiale, inteligjenca bioteknologjike, sollën të këqijat në këtë shekull bashkë me të mirat e pafundme të tij.
Terrorizmi, është një ndër sfidat më të mëdha të këtij shekulli. Ekstremizmi i dhunshëm, ka goditur fort zemrën e botës. Kemi parë për vite me radhë sesi terrorizmi godet qendrat e civilizimit, ato që janë menduar të pathyeshme, nga Uashingtoni në Nju Jork, në Bruksel, Berlin, Paris e Londër.
Përballja me terrorizmin nuk ka qenë aspak e lehtë as për ushtrinë amerikane dhe shërbimet sekrete për të cilat SHBA, shpenzon miliarda dollarë vit, por shpesh-herë janë thyer përballë terrorit.
Fake News, ose industria e lajmeve të rreme, ka qenë një problem më shumë i dekadës së fundit.
Fake News, e tregoi se forca e tij mund të çorodiste botën, mund të shkaktonte kaos dhe keqkuptime të mëdha, dhe në këtë aspekt qeveritë e botës, dhe mediat më prestigjioze investuan përsëri miliona dollarë për këtë fenomen shkatërrues.
Nga ana tjetër ngrohja globale në këtë shekull u kthye në kryefjalë të ruajtjes së njerëzimit.
Çorientimi i temperaturave, dhe rritja e ndotjes globale, shqetësoi pa masë shkencëtarët të cilët disa herë dhanë alarmin për fundin e dhimbshëm të planetit tonë, tokë, e që rrezikohej pikërisht nga faktori human, nga njeriu që shfrytëzon pa kriter burimet natyrore.
Armët bërthamore, nga ana tjetër, e çuan botën disa herë në pikën fundore të një përplasje të ashpër superfuqish që fundin e kësaj përplasje nuk mund ta mendonte askush.
Kriza e demokracisë dhe përplasja e civilizimeve ka qenë një tjetër debat i ashpër në këtë shekull. Perëndimi, Kina apo Islami po e dominon botën? Ka qenë një pyetje që studiues e politikanë janë marrë gjatë me të. Indekset botërore tregojnë një zbehje të demokracisë në të gjithë botën. Për 14 vite me radhë demokracia është në rënie, sipas indeksit të “Freedom House”
Në librin e tij “21 leksione për shekullin XXI” autori i mirënjohur Yuval Noah Harari shkruan ndër të tjera se “Njerëzimi po humbet besimin tek ideologjia liberale, e cila ka dominuar politikën botërore gjatë dekadave të fundit, pikërisht në kohën kur shkrirja mes bioteknologjisë dhe teknologjisë së informacionit po na vë përballë sfidave më të mëdha që ka njohur ndonjëherë njerëzimi”
Por, në këtë kohë të gjithë po kuptojmë diçka që shumë nuk e pranojnë, nuk e pranojnë nga fanatizmi që paskan investuar gabimisht në prodhime të pamasa armësh biologjike e bërthamore. Bota ka investuar miliarda në ushtri e armë, ka investuar miliarda në zotërim të informacionit, në të dhënat personale të njerëzimit, ka investuar miliarda e miliarda duke ngritur mure për njerëzit, por sot në vitin 2020 e tërë bota po sheh shembjen e sistemeve shëndetësore para tyre.
Natyrshmërisht lind pyetja, kur shkenca dhe teknologjia kanë përparuar kaq shumë, pse po vonon vaksina kundër koronavirusit?
Askush nuk ka një përgjigje të saktë, e vetmja gjë që mund të thuhet është se në këto muaj përballje me një të panjohur bota ka dështuar në sistemet e tyre shëndetësore.
Pikëpyetjet janë të mëdha, një e vërtetë dihet, që pas kësaj krize shëndetësore njerëzimi duhet të kërkojë më shumë investime në institucionet shëndetësore, e qeveritë duhet t’i marrin më seriozisht këta armiq të njerëzimit, viruset, dhe të përgatiten armë, jo për të vrarë njerëzit anembanë botës, por për të vrarë armiqtë e njerëzimit./dritare.net

















