Autizmi/ Unë jam si ty, por me fjalë të tjera!
Dritare.net
Nga Malvina Tare
Autizmin nuk ta shpjegoj dot vetëm me fjalë.
Sa pak fjalë ka për të përshkruar jo vetëm një diagnozë, por një gjendje do ta quaja unë.
Një mënyrë të qeni.
Fjalët janë shteruese, ose mendja është e bllokuar dhe nuk arrin t’i gjejë ato. Por, po. Autizmi nuk është vetëm një diagnozë, është një mënyrë të ekzistuari në botë.
Dhe është për t’u çuditur, por njëkohësisht mediokre se si bota e lë kaq të varfër në shpjegime njeriun e thjeshtë si ti e si unë për një fenomen botëror. Për njerëzit e së nesërmes, për ata që do të drejtojnë botën, do të shërojnë, do të edukojnë, do të ndërtojnë, për mbarë njerëzimin.
Autizmi nuk është një sëmundje që pret kurim me shpresë ose jo, nga disa medikamente. Nuk ka shërim në fund të këtij rrugëtimi. Ky udhëtim kërkon vetëm mbështetje, mirëkuptim dhe një menaxhim të lartë të emoncioneve dhe ndjesive që njeriut i duhet për të kuptuar një njeri tjetër që po përjeton, ose po jeton me Autizmin.
Ndoshta sot jemi shumë të paditur dhe nuk e gjejmë dot formën për t’u përshtatur me këdo që ka autizëm dhe ka padyshim shumë ndryshime e ngjashmëri.
Jam e bindur që çdo prind kërkon përgjigje për shumë pyetje që mbeten pa shpjegim. E akoma më keq, në Shqipëri këto përgjigje janë shumë të mangëta. Ndoshta këtu kemi arritur deri te identifikimi i diagnozës, e ndërsa mbetet shumë rrugë përpara deri në përvetësimin e të gjithës.
Të gjithë gjendjes që fëmija përjeton. Të përvetësimit të gjithë emoncionit, mënyrës së të menduarit, mënyrës së të shprehurit, mënyrës së të konceptuarit të botës.
Shumë prindër vuajnë moskuptimin, më shumë se diagnozën që fëmija i tyre ka. Ai nuk di ta kuptojë e as ta shpjegojë.
Profesori i njohur Edmond Tupe është ndër të parët në Shqipëri që e ka kuptuar jetën me Autizmin dhe përpiqet që të shpjegojë, por njerëzit në vend që të kuptojnë diçka, thonë : “Sa gjynah!” Një fjalë që nuk shpreh as mirëkuptim e as dhimbje, por një fjalë kot që del në tym mes injorancës.
Sepse më shumë se shpjegimi i një diagnoze nga shkencëtarët, njerëzit kanë nevojë të dinë si të ndërtojnë urat e komunikimit me personat me autizëm apo me ata prindër që kujdesen për ta. Dhe ndoshta detyra që i lind filozofisë moderne është pikërisht autizmi dhe perceptimi i botës, në një sens tjetër.
Të gjesh “Pse?” sot, për njerëzit e mijëvjeçarit të ardhshëm.
Ne neurotipikët që shpesh mendojmë se vërtetë sillemi, mendojmë dhe perceptojmë sipas asaj që quhet normë, shpesh jemi të parët që gabojmë në sjellje, në mendime dhe perceptime.
Gabojmë rëndë, kur perceptojmë keq dhe dëmshëm!/dritare.net