82% e shqiptarëve hanë topinambur dhe shohin Instagram!
Dritare.net
Nga Ani Jaupaj
Angjinarja e Jerusalemit ose oreshka, siç njihet në shqip, është perime që rritet nëntokë, me një lule te ngjashme me lulen e diellit, ne siperfaqe, dhe mblidhet në Nëntor. Në sondazhin që u bë vjet, në të njëjtin muaj, rezultoi që shqiptarët hanin patate, këtë vit hanë topinambur. E hanë kryesisht prej formës së çrregullt me damarë, por edhe prej vlerave të larta ushqyese.
Paralelisht me sondazhin për ushqimin më të pëlqyer, gjatë nëntorit, në Shqipëri, bëhet edhe një sondazh tjetër që sjell të dhëna për leximin. Në shqyrtim janë marrë dy kampione, një kampion prej 289 të intervistuarish me telefon dhe një kampion prej 25 mijë lexuesish. Nga ky sondazh thuhet se 82% përqind e shqiptarëve lexojnë.
Nuk është e qartë nëse pyetja ka qenë 'a lexoni' apo 'a dini të lexoni', por e dhëna përfundimtare në shifra është e tillë. I njëjti sondazh, vitin e shkuar ka arritur në përfundimin se 80% e shqiptarëve as kanë lexuar e as kanë blerë një libër gjatë vitit 2022.
Të turpëruar nga të dhënat e një viti më parë, shqiptarët e kanë përmbysur rezultatin kokë më kokë. Çdonjëri prej tyre ka blerë dhe ka lexuar një libër gjatë vitit pasardhës. Sot, në ditën e tretë të Panairit të 26-të të Librit në Tiranë, nuk mund të thuash se nuk ka vizitorë, sikurse nuk mund të thuash se vizitorët janë lexues. Për shkak të vlerës së ngjarjes, kërshërisë a lëçitjes, njerëzit janë aty. Është aty edhe mania e Instagramit që shkon për të parë si derdhet boja e stilolapsit të autorit në letër, e fotografon, e ndan me miqtë arritjen e pritjes në radhë dhe as e di ç'ka në të. Bashkë me autorët e Instagramit janë edhe plotë të tjerë që nuk e ngasin tempin teknologjik, por u qëndrojnë në krahë për të marrë nga ndriçimi i tyre.
Një pjesë e mirë e botuesve thonë se shitjet janë të mira, numri i vizitorëve gjithashtu prandaj përkimi me ndryshimin e shijeve të shqiptarëve, nga patatja te topinamburi, duhet të jetë i vërtetë, në masën 80%./dritare.net