
Studimi: Pothuajse gjysma e rasteve të demencës mund të parandalohen!
Dritare.net

Një studim i fundit tregon se pothuajse gjysma e rasteve të demencës në mbarë botën mund të parandalohen, nëse evidentohen në kohë 14 faktorë që ndikojnë në zhvillimin e kësaj sëmundje. Numri i personave të prekur globalisht parashikohet të trefishohet në 153 milionë deri në vitin 2050, dhe studiuesit paralajmërojnë se kjo paraqet një kërcënim në rritje të shpejtë për sistemet shëndetësore dhe të kujdesit social.
Shpenzimet globale shëndetësore dhe sociale të lidhura me demencën tejkalojnë 1 trilion dollarë (780 miliardë £) në vit, tregon studimi. Megjithatë, në një raport të publikuar nga Lancet, 27 nga ekspertët në botë arritën në përfundimin se shumë më tepër raste mund të shmangeshin ose, të shfaqeshin më vonë.Ndërgjegjësimi për 14 faktorët e rrezikut, duke filluar nga fëmijëria dhe duke vazhduar gjatë gjithë jetës, mund të parandalojë ose vonojë 45% të rasteve të demencës, thonë studiuesit. Gjetjet u prezantuan në konferencën ndërkombëtare të Shoqatës së Alzheimerit në SHBA.
Në një intervistë me Guardian, autori kryesor i hulumtimit, Gill Livingston tha:
“Shumë njerëz në mbarë botën besojnë se demenca është e pashmangshme, por kjo nuk është e vërtetë. Raporti ynë arrin në përfundimin se ju mund të rrisni jashtëzakonisht shanset për të mos zhvilluar demencë ose për të vonuar shfaqjen e saj”.
Njerëzit në të gjitha fazat e jetës, nga fëmijët tek të moshuarit, mund të ndërmarrin hapa për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të sëmundjes, e cila nuk ka shërim, shtoi Livingston, nga University College London. Bazuar në provat më të fundit, raporti shton dy faktorë rreziku që lidhen me 9% të rasteve të demencës. Rreth 7% e rasteve janë të lidhura me lipoproteinat me densitet të lartë ose kolesterolin i keq, në moshën e mesme rreth moshës 40 vjeç.
Këta faktorë të rrezikut janë përveç 12 të identifikuarve nga komisioni Lancet në vitin 2020, të cilët së bashku i atribuohen rreth 36% të rasteve të demencës, sipas Livingston. Disa nga fakorët që ndikojnë në zhvillimin e demencës janë: niveli i ulët i arsimimit, dëmtimi i dëgjimit, presioni i lartë i gjakut, pirja e duhanit, obeziteti, depresioni, pasiviteti fizik, diabeti, konsumimi i tepërt i alkoolit; lëndimi traumatik i trurit, ndotja e ajrit dhe izolimi social.
Në raport ekspertët shprehen:
“Potenciali për parandalim është i lartë. Këto gjetje japin shpresë. Stilet e shëndetshme të jetesës që përfshijnë ushtrime të rregullta, mos pirjen e duhanit dhe shmangia e alkoolit të tepërt nuk mund të ulin vetëm rrezikun e demencës, por gjithashtu mund të shtyjnë shfaqjen e saj”.
Livingston tha se një nga gjërat më të lehta që njerëzit mund të bënin për të parandaluar rrezikun ishte që të bënin ushtrime fizike. Për të reduktuar rrezikun e demencës gjatë gjithë jetës, komisioni Lancet bëri 13 rekomandime:
“Vendosjen e aparateve të dëgjimit, si dhe zbulimin e kolesterolit të lartë që nga mosha 40 vjeç”.
Fiona Carragher, zyrtarja e cila financoi pjesërisht studimin, tha: “Disa faktorë rreziku për demencën, si konsumimi i alkoolit dhe ushtrimet fizike, mund të menaxhohen duke ndryshuar stilin e jetesës. Izolimi social, pabarazitë arsimore dhe ndotja e ajrit kërkojnë ndërhyrje në shëndetin publik dhe veprim të përbashkët midis qeverisë dhe industrisë”.
Susan Kohlhaas, drejtoresha ekzekutive e kërkimit në UK, e cila ndihmoi hulumtim, paralajmëroi se mosha dhe gjenetika mbeten faktorët më të mëdhenj të rrezikut për demencën./M.K-dritare.net

















