
Studimi: Pabarazia gjinore dhe diskriminimi po pengojnë diagnostikimin në kohë të kancerit tek gratë!
Dritare.net

Një studim i ri ka zbuluar se pabarazia gjinore dhe diskriminimi mund të pengojnë diagnozat në kohë dhe kujdesin cilësor për shumë gra në mbarë botën, citon The Guardian.
Lidhur me këtë gjetje, ekspertët shëndetësor po bëjnë thirrje për një qasje tjetër ndaj grave të diagnostikuara me kancer, në mënyrë që të eliminohen pabarazitë. Kjo pasi studimi zbuloi se 800,000 gra në mbarë botën po vdesin pa nevojë çdo vit, sepse atyre iu mohohet kujdesi optimal. Kanceri është një nga vrasësit më të mëdhenj të grave dhe renditet në tre shkaqet kryesore të vdekjeve të parakohshme në pothuajse çdo vend të çdo kontinenti, informon Dritare.net
Por pabarazia gjinore dhe diskriminimi po reduktojnë mundësitë e grave për të shmangur rreziqet e kancerit dhe po pengojnë aftësinë e tyre për të marrë një diagnozë në kohë dhe kujdes cilësor, citon studimi i botuar në Lancet. Për këtë raport u studiuan gratë të diagnostikuara me kancer në 185 vende, ku u zbulua dinamika e pushtetit të pabarabartë në të gjithë globin, të cilat ndikonin negativisht në trajtimin e sëmundjes.
Pabarazitë gjinore po pengojnë gjithashtu avancimin profesional të grave si lidere në kërkimin, praktikën dhe politikëbërjen e kancerit, gjë që nga ana e saj thekson mungesën e parandalimit dhe kujdesit të kancerit me në qendër gratë, shton raporti. Komisioni mblodhi së bashku një ekip shumëdisiplinor dhe të larmishëm nga e gjithë bota. Ai përfshinte ekspertë në studimet gjinore, të drejtat e njeriut, ligjin, ekonominë, shkencat sociale, epidemiologjinë e kancerit, parandalimin dhe trajtimin, për të analizuar sesi gratë në mbarë botën përjetojnë kancerin.
Pas hulumtimeve është bërë thirrja për një axhendë të re feministe ndaj kujdesit të grave për kancerin dhe për të eliminuar pabarazinë gjinore, informon Dritare.net
“Ndikimi i një shoqërie patriarkale në përvojat e grave ndaj kancerit ka mbetur i panjohur,” tha Dr Ophira Ginsburg, bashkëkryetare e komisionit.
“Globalisht, shëndeti i grave shpesh përqendrohet në shëndetin riprodhues dhe të nënës, në përputhje me përkufizimet e ngushta antifeministe të vlerës dhe roleve të grave në shoqëri, ndërsa kanceri mbetet tërësisht i nënpërfaqësuar. Komisioni ynë thekson se pabarazitë gjinore ndikojnë ndjeshëm në përvojat e grave me kancerin. Për ta trajtuar këtë, ne kemi nevojë që kanceri të shihet si një çështje prioritare në shëndetin e grave”, shtoi ajo.
Një studim tjetër thekson se 1.5 milionë vdekje të parakohshme nga kanceri tek gratë nën 70 vjeç në vitin 2020 mund të ishin parandaluar me eliminimin e ekspozimit ndaj faktorëve kryesorë të rrezikut ose nëpërmjet zbulimit dhe diagnostikimit të hershëm. Hulumtimi analizoi vdekjet e parakohshme nga kanceri në mesin e grave të moshës 30 deri në 69-vjeç dhe zbuloi se 800,000 jetë të tjera mund të shpëtoheshin çdo vit nëse të gjitha gratë kishin qasje në kujdesin optimal të kancerit. Rreth 1.3 milionë gra të të gjitha moshave vdiqën në vitin 2020 për shkak të katër prej faktorëve kryesorë të rrezikut për kancerin: duhani, alkooli, obeziteti dhe infeksionet. Por barra e kancerit tek gratë e shkaktuar nga këta katër faktorë rreziku është gjerësisht e nënvlerësuar, theksohet në raport.
Për shembull, një studim i vitit 2019 zbuloi se vetëm 19% e grave që ndiqnin depistimin e kancerit të gjirit në MB ishin të vetëdijshme se alkooli është një faktor kryesor rreziku për kancerin e gjirit, informon Dritare.net
“Diskutimet për kancerin tek gratë shpesh përqendrohen tek kanceri i gjirit dhe i qafës së mitrës”, tha Dr Isabelle Soerjomataram, një bashkëkryetare e komisionit.
“Por rreth 300,000 gra nën 70 vjeç vdesin çdo vit nga kanceri i mushkërive, dhe 160,000 nga kanceri kolorektal, dy nga tre shkaqet kryesore të vdekjes nga kanceri tek gratë, globalisht.
“Për më tepër, për dekadat e fundit në shumë vende me të ardhura të larta, vdekjet nga kanceri i mushkërive tek gratë kanë qenë më të larta se vdekjet nga kanceri i gjirit. Industria e duhanit dhe alkoolit synon marketingun e produkteve të tyre veçanërisht për gratë, ne besojmë se është koha që qeveritë t'i kundërshtojnë këto veprime me politika specifike gjinore që rrisin ndërgjegjësimin dhe reduktojnë ekspozimin ndaj këtyre faktorëve të rrezikut.
Një shqyrtim më i madh i shkaqeve dhe faktorëve të rrezikut për kancerin tek gratë është gjithashtu i nevojshëm pasi ato janë më pak të kuptuara në krahasim me faktorët e rrezikut të kancerit për burrat.
“Nga 3 milionë e të rriturve të diagnostikuar me kancer nën moshën 50-vjeç në vitin 2020, ku dy nga tre ishin gra”, tha Dr Verna Vanderpuye, një bashkëkryetare e komisionit.
“Kanceri është shkaku kryesor i vdekshmërisë tek gratë dhe shumë vdesin në kulmin e jetës së tyre, duke lënë pas rreth 1 milion fëmijë vetëm në vitin 2020. Ka faktorë të rëndësishëm specifikë për gratë që kontribuojnë në këtë barrë të konsiderueshme globale duke i trajtuar këto përmes një qasjeje feministe, ne besojmë se kjo do të zvogëlojë ndikimin e kancerit për të gjithë.”
Për të kundërshtuar ndikimin negativ të pabarazisë gjinore dhe për të transformuar mënyrat se si gratë ndërveprojnë me sistemin shëndetësor të kancerit, komisioni argumenton që seksi dhe gjinia të përfshihen në të gjitha politikat dhe udhëzimet që lidhen me kancerin. Ai gjithashtu bën thirrje për strategji që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit të grave për faktorët dhe simptomat e rrezikut të kancerit, së bashku me rritjen e aksesit të barabartë në zbulimin e hershëm, diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit./M.K-dritare.net

















