Na ndiqni edhe në

Shëndet

Sëmundjet e zemrës në rritje: Bien vdekjet nga infarkti, por rriten nga sëmundje të tjera kardio-vaskulare

Sëmundjet e zemrës në rritje: Bien vdekjet nga infarkti, por

CNN

Një studim i ri i publikuar në revistën Journal of the American Heart Association ka zbuluar se, ndonëse vdekjet nga infarkti kanë rënë ndjeshëm gjatë pesë dekadave të fundit në SHBA, vdekjet nga forma të tjera të sëmundjeve të zemrës janë rritur me 81%.

Sipas studimit, i cili analizoi të dhëna nga viti 1970 deri në 2022, vdekjet nga infarkti ranë me gati 90%, ndërsa përqindja e vdekjeve të lidhura me të gjitha sëmundjet e zemrës ra nga 54% në 29%. Ky përmirësim i madh i atribuohet avancimeve në kuptimin, parandalimin dhe trajtimin e hershëm të infarktit.

“Gjatë 50 viteve të fundit, kemi bërë hapa të mëdhenj në kuptimin dhe trajtimin e sëmundjeve të zemrës,” tha Dr. Sara King, autore kryesore e studimit dhe mjeke rezidente në Universitetin e Stanfordit. “Tani kemi mjete për të shpëtuar jetën në raste që dikur ishin dënime me vdekje.”

Megjithatë, lajmet e mira vijnë me një paralajmërim të rëndësishëm: rastet e tjera të sëmundjeve kardiovaskulare po rriten me shpejtësi. Vdekjet nga aritmia, mosfunksionimi i zemrës dhe sëmundjet hipertensive janë në rritje të ndjeshme. Vetëm vdekjet nga aritmitë u rritën me 450% që nga vitet ’70, ndërsa ato nga mosfunksionimi i zemrës u rritën me 146%.

“Ka shumë njerëz që mbijetojnë nga infarktet, por më pas jetojnë me pasoja afatgjata si mosfunksionimi i zemrës, lodhje kronike dhe përdorim të shumëfishtë të ilaçeve,” shpjegon Dr. Andrew Freeman, drejtor i Parandalimit të Sëmundjeve të Zemrës në National Jewish Health.

Shkaktarët kryesorë të kësaj rritjeje lidhen me faktorët e rrezikut që janë në rritje në shoqërinë moderne: obeziteti, diabeti i tipit 2, presioni i lartë i gjakut, mungesa e aktivitetit fizik dhe ushqimi i pashëndetshëm. Studimi tregon se përqindja e obezitetit në SHBA është rritur nga 15% në vitin 1970 në 40% në 2022, ndërsa diabeti dhe para-diabeti prekin pothuajse gjysmën e të rriturve.

Një tjetër faktor është plakja e popullsisë së “Baby Boomers”, një brez që tashmë po hyn në një moshë të rrezikshme për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës.

“Sëmundjet e zemrës nuk janë zhdukur – ato vetëm kanë ndryshuar formë,” tha Dr. Latha Palaniappan, autore e studimit dhe profesoreshë në Stanford. “Tani fokusi duhet të jetë tek parandalimi që në fëmijëri, për të ndihmuar njerëzit të plaken me zemra të shëndetshme.”

Ky studim thekson rëndësinë e stilit të jetesës së shëndetshme dhe ndjekjes së rregullt të shëndetit të zemrës jo vetëm për të ulur rrezikun e infarkteve, por edhe për të parandaluar sëmundjet e tjera të rënda të sistemit kardiovaskular./L.F-dritare.net