Paralajmërimi i OBSH-së: Raste të reja të hantavirusit në javët e ardhshme
Dritare.net

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se rastet e reja të hantavirusit mund të shfaqen në javët në vijim, ndërsa autoritetet shëndetësore po vijojnë monitorimin e situatës.
Në një përditësim të fundit, epidemiologu i OBSH-së, Dr. Olivier Le Polain, tha se shfaqja e rasteve të reja është e mundshme, por kjo nuk lidhet domosdoshmërisht me përhapje të vazhdueshme në komunitet.
Sipas tij, arsyeja kryesore lidhet me periudhën e gjatë të inkubacionit të virusit, e cila mesatarisht zgjat rreth tre javë, por në disa raste mund të shkojë deri në 40–45 ditë.
“Për këtë arsye duhet të qëndrojmë vigjilentë dhe të sigurohemi që në shenjat e para, personat të identifikohen, izolohen dhe të marrin trajtimin e duhur,” u shpreh Le Polain.
Ai shtoi se, për shkak të kësaj periudhe të gjatë inkubacioni, pritet që edhe për rreth gjashtë javë të tjera të monitorohen pasagjerët e anijes MV Hondius, përpara se të konsiderohen plotësisht të sigurt. Sipas tij, kjo do të jetë një periudhë e vështirë për të gjithë të përfshirët.
OBSH po vijon të ndjekë nga afër situatën dhe të koordinojë masat me autoritetet shëndetësore përkatëse./K.C/dritare.net