
Ndotja e ajrit po bën që vajzat t'i kenë menstruacionet e para më herët!
Dritare.net
Nga David Cox-BBC
Hulumtimet e reja tregojnë se vajzat në SHBA i kanë menstruacionet e para më herët. Ekspozimi ndaj ajrit toksik është pjesërisht fajtor.
Për disa dekada, shkencëtarët në mbarë botën janë shqetësuar nga shenjat se vajzat po hyjnë në pubertet në një moshë shumë më të re në krahasim me gjeneratat e mëparshme. Që nga momenti kur vajzat përjetojnë menstruacionet e para, diçka që shkencëtarët e quajnë moshën e menarkës, deri në fillimin e zhvillimit të gjirit, këto ndryshime që shënojnë fillimin e adoleshencës duket se po ndodhin në mënyrë progresive shumë më shpejt.
Vajzat amerikane i kanë menstruacionet deri në katër vjet më herët në krahasim me vajzat që jetonin një shekull më parë. Në maj, të dhënat e reja treguan se vajzave të lindura midis viteve 1950 dhe 1969 iu nisën menstruacionet në moshën 12.5-vjeçare, kjo u ul në një mesatare prej 11.9-vjeçare për brezin e lindur në fillim të viteve 2000.
E njëjta prirje është vërejtur edhe në mbarë botën. Shkencëtarët koreano-jugorë kanë përshkruar me njëfarë alarmi se si numri i vajzave që shfaqin shenja të pubertetit të parakohshëm, qoftë zhvillimi i gjirit apo menstruacionet para moshës tetëvjeçare, është rritur 16-fish midis viteve 2008 dhe 2020.
"Ne po shohim gjithashtu se këto mosha janë edhe më të theksuara në grupet me status më të ulët socio-ekonomik dhe grupet e pakicave etnike.”, thotë Audrey Gaskins, një profesore e asociuar në Universitetin Emory në Atlanta, SHBA. "Kjo ka implikime të rëndësishme për shëndetin afatgjatë."
Studiuesit si Gaskins janë kryesisht të shqetësuar se fillimi i pubertetit më herët mund të shkaktojë një kaskadë ngjarjesh që kanë pasoja të mëdha në moshën madhore. Të dhënat e reja sugjerojnë se jo vetëm që mund të shkurtojë dritaren e fertilitetit, nëse këto gra hyjnë më shpejt në menopauzë, por do të shkurtojë edhe jetën e tyre. Puberteti i parakohshëm është shoqëruar në mënyrë të përsëritur me një rrezik më të lartë të sëmundjeve që variojnë nga kanceri i gjirit dhe ovarian, sindromat metabolike si obeziteti dhe diabeti i tipit 2 dhe sëmundjet kardiovaskulare.
Shkencëtarët janë ende duke u përpjekur të kuptojnë pse po ndodh kështu, por Brenda Eskenazi, profesoreshë e shëndetit publik në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, thotë se një teori sugjeron që nëse qelizat e trupit janë të ekspozuara ndaj niveleve qarkulluese të hormoneve seksuale si estrogjenit për një periudhë kohore, kjo mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të tumorit, sepse këto hormone stimulojnë rritjen e qelizave, infromon dritare.net
Pastaj janë pasojat e mundshme sociale. Eskenazi thekson se vajzat që hyjnë më herët në pubertet mund ta nisin aktivitetin seksual më herët.
“Kjo është një situatë e frikshme në Shtetet e Bashkuara kur kemi tendencën që aborti të bëhet i paligjshëm dhe kontraceptivët të mos ofrohen më. Do të çojë në më shumë shtatzëni të padëshiruara në adoleshencë, kështu që bashkimi i faktorëve është shumë i frikshëm."
Por pse po përshpejtohet zhvillimi i fëmijëve në këtë mënyrë?
Fillimi i pubertetit diktohet nga dy rrjete komunikimi me shtrirje të gjerë në trup të njohur si boshtet hipotalamike-hipofizë-adrenale (HPA) dhe hipotalamike-hipofizë-gonadale (HPG). Ato lidhin një pjesë të trurit të quajtur hipotalamus, i cili rregullon funksione të ndryshme thelbësore trupore nga uria deri te kontrolli i temperaturës, me gjëndra të ndryshme sekretuese të hormoneve.
Gaskins thotë se deri 10 deri 20 vjet më parë, shkencëtarët supozonin se shkaku i vetëm i pubertetit të parakohshëm ishte obeziteti i fëmijërisë, me proteinat e prodhuara nga qelizat dhjamore të quajtura adipokine që luanin një rol në stimulimin e boshteve HPA dhe HPG. Kohët e fundit studiuesit kanë vënë në dukje një shkak tjetër, më befasues, ndotjen e ajrit.
Pjesa më e madhe e këtij hulumtimi është bërë nga shkencëtarët në Korenë e Jugut, me Seul, Busan dhe Incheon që renditen në mesin e 100 qyteteve më të ndotura në botë sipas indeksit IQAir. Një përmbledhje e publikuar së fundmi nga Universiteti Ewha Womens në Seul identifikoi një marrëdhënie të përsëritur midis ekspozimit ndaj ndotësve të ndryshëm dhe fillimit të hershëm të pubertetit.
Disa nga fajtorët kryesorë duket se janë gazrat toksike si p.sh dioksidi i squfurit, dioksidi i azotit, monoksidi i karbonit dhe ozoni, të cilat lëshohen në ajër ose përmes emetimeve të automjeteve ose mbetjeve të prodhuara nga fabrikat prodhuese
Ndoshta një shqetësim edhe më i madh janë grimcat e imëta (PM), grimcat që janë shumë të vogla për t'u parë, por që lëshohen në ajër nga burime që variojnë nga kantieret e ndërtimit te zjarret, termocentralet e prodhimit të energjisë, motorët e automjeteve, madje edhe rrugët me pluhur dhe të paasfaltuara. Në tetor të 2023-shit, Gaskins dhe kolegët zbuluan se vajzat amerikane të ekspozuara ndaj sasive të larta të PM2.5, të përcaktuara si grimca me diametër më të vogël se 2.5 μm dhe PM10, si në barkun e nënës së tyre ashtu edhe gjatë fëmijërisë, kanë më shumë gjasa t’i kenë periodat e parë në një moshë më të hershme./K.C/dritare.net

















