Na ndiqni edhe në

Shëndet

Hapat thelbësorë për parandalimin e sëmundjeve reumatizmale! Këshillat e mjekes!

Hapat thelbësorë për parandalimin e sëmundjeve reumatizmale!

Sëmundjet reumatizmale po bëhen gjithnjë e më të përhapura, duke prekur jo vetëm moshat e treta, por edhe të rinjtë. Stili i jetesës, kequshqyerja dhe faktorë të tjerë modernë po kontribuojnë në këtë rritje shqetësuese. Për të hedhur më shumë dritë mbi këtë temë, mjekja reumatologe, doktoresha e shkencave Ergeta Ktona, shpjegon në detaje natyrën e këtyre sëmundjeve, mënyrat e diagnostikimit dhe trajtimet më bashkëkohore.

Dr. Ergeta Ktona sqaron se sëmundjet reumatizmale ndahen në tre kategori kryesore: ato me karakter mekanik si osteoartroza; sëmundjet autoimune si artriti reumatoid, ku sistemi imunitar sulmon vetë trupin; dhe sëmundjet metabolike, të lidhura me mënyrën e të ushqyerit dhe metabolizmin e përgjithshëm. Pavarësisht llojit, simptoma kryesore që i shtyn pacientët të kërkojnë ndihmë mjekësore është dhimbja e kyçeve dhe muskujve. Duke u ndalur tek disa nga patologjitë më të zakonshme, doktoresha bën një dallim të qartë mes dy llojeve kryesore të artritit.

Artriti reumatoid është një sëmundje autoimune dhe inflamatore që prek më shpesh femrat dhe mund të shfaqet në çdo moshë, duke shkaktuar dhimbje, ënjtje dhe dëmtim të kyçeve si duart, gjunjët dhe supet. Nga ana tjetër, artriti gutoz është një sëmundje metabolike, më e shpeshtë tek meshkujt, e shkaktuar nga depozitimi i kristaleve të acidit urik në kyçe. Një tjetër sëmundje e përhapur, shpesh e ngatërruar me artritin, është artroza (osteoartroza). Kjo e fundit nuk është autoimune, por një proces degjenerativ dhe mekanik i kyçeve, i shkaktuar kryesisht nga plakja, pesha e tepërt dhe jeta sedentare. Për rastet e rënda të artrozës, veçanërisht në gju, kur trajtimet me medikamente dhe injeksione nuk japin rezultat, zgjidhja moderne është ndërhyrja kirurgjikale me proteza të personalizuara, të cilat rikthejnë lëvizshmërinë dhe përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës.

Një fokus të veçantë iu kushtua osteoporozës, e përshkruar si një "sëmundje e heshtur" që i bën kockat poroze dhe të brishta. Ajo prek një në tre gra dhe një në pesë burra, shpesh pas menopauzës dhe andropauzës, për shkak të ndryshimeve hormonale. Faktorë të tjerë rreziku përfshijnë dietat e pabalancuara, sëmundjet kronike dhe përdorimin e disa medikamenteve.

Dr. Ktona thekson se osteoporoza është e trajtueshme, veçanërisht nëse diagnostikohet herët përmes ekzaminimit të densitometrisë (DEXA), dhe trajtimi synon jo vetëm forcimin e kockave, por edhe parandalimin e frakturave të rrezikshme. Në përfundim, mesazhi kryesor i Dr. Ktona është parandalimi. Ajo këshillon një stil jetese aktiv, me aktivitet fizik të rregullt për të forcuar sistemin muskuloskeletik, një dietë të balancuar për të mbajtur një peshë të shëndetshme dhe për të shmangur sforcimin e kyçeve.

Gjithashtu, është thelbësore që çdo person të jetë i vëmendshëm ndaj simptomave të pazakonta dhe të konsultohet me mjekun reumatolog sa më herët të jetë e mundur, pasi një diagnozë e hershme është çelësi për një trajtim të suksesshëm dhe një jetë pa dhimbje./dritare.net