
Evropa po thith ajër toksik, ja 10 sëmundjet që rrezikojnë shëndetin tonë!
Dritare.net

Një raport i fundit i The Guardian zbuloi se 90% e evropianëve thithin ajër të ndotur shumë të dëmshëm, që lidhet me 400,000 vdekje në vit.
“Evropa po përballet me një krizë të rëndë të shëndetit publik, për zonat me nivele të rrezikshme të ndotjes së ajrit. Analiza e të dhënave të mbledhura duke përdorur metodologjinë e fundit, duke përfshirë imazhe të detajuara satelitore dhe matje nga më shumë se 1,400 stacione monitorimi tokësore zbulon një pamje të tmerrshme të ajrit të ndotur, ku 98% e njerëzve jetojnë në zona me ndotje të grimcave të imta shumë të dëmshme që tejkalojnë shëndetin botëror. Pothuajse dy të tretat jetojnë në zona ku cilësia e ajrit është më shumë se dyfishi i udhëzimeve të OBSH-së. Vendi më i goditur në Evropë është Maqedonia e Veriut”, theksonte studimi.
Por çfarë ndodh me trupin tonë kur thithim ajër toksik? Edhe pse ndotja e ajrit ndonjëherë mund të jetë e padukshme ajo mund të lërë gjurmë të mëdha në shëndetin tonë. Studimet kanë treguar se ndotja e ajrit mund të ndikojë në shëndetin e njeriut në më shumë mënyra duke na kërcënuar edhe jetën.
Ja 10 rreziqet që na vijnë nga thithja e ajrit të ndotur:
Vdekja e parakohshme: Shkenca tregon se ekspozimi afatshkurtër dhe afatgjatë ndaj ajrit të pashëndetshëm mund të shkurtojë jetën tuaj dhe të çojë në vdekje të parakohshme.
Astmë: Thithja e vazhdueshme e ozonit dhe grimcave mund të na çojë në sëmundje kronike të astmës, dhe një sërë problemesh të tjera.
Sëmundjet kardiovaskulare: Ndotja e ajrit mund të rrisë rrezikun e sulmeve në zemër dhe goditjes në tru.
Kanceri i mushkërive: Ndotja e grimcave mund të shkaktojë kancer të mushkërive, i cili është shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me kancerin në SHBA.
Dëmtimi i zhvillimit: Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit mund të ngadalësojë dhe pengojë zhvillimin e mushkërive tek fëmijët në rritje, duke dëmtuar shëndetin e tyre tani dhe duke reduktuar funksionin e tyre të mushkërive si të rritur.
Ndjeshmëria ndaj infeksioneve: Ndotja e ajrit rrit rrezikun e infeksioneve të mushkërive, veçanërisht te fëmijët.
Përkeqësimi i simptomave të COPD: Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit mund ta bëjë edhe më të vështirë frymëmarrjen për njerëzit me sëmundje pulmonare obstruktive kronike (COPD). Simptomat e rënda mund të çojnë në shtrimin në spital dhe madje edhe në vdekje.
Ënjtje dhe acarim i indeve të mushkërive: Edhe njerëzit me mushkëri të shëndetshme janë të ndjeshëm ndaj acarimit dhe ënjtjes. Për ata që jetojnë me sëmundje kronike të mushkërive, të tilla si astma dhe COPD, këto efekte mund të jenë veçanërisht të dëmshme.
Pesha e ulët e foshnjave në lindje: Disa studime tregojnë se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit mund të rrisë rrezikun e peshës së ulët të foshnjave dhe vdekshmërisë së foshnjave.
Frymëmarrje, kollë dhe gulçim: Ashtu si shumë prej kushteve të tjera në këtë listë, këto mund të shkaktohen si nga ekspozimi afatgjatë ashtu edhe nga ekspozimi afatshkurtër ndaj niveleve të larta të ndotësve të ajrit./M.K-dritare.net

















