Saimir Pirgut i ndodh e papritura duke kënduar në Operën e Vjenës

Nga Fjorda Llukmani

Asnjëherë s’e dimë çfarë heqin artistët për të sjellë në skenë një vepër operistike apo teatrale. Gjërat duken kaq të bukura kur i shohim sa ndonjëherë na duket punë e thjeshtë të aktrosh, të këndosh apo të hiqesh sikur je mirë gjatë rolit. Dje isha në shfaqjen premierë të “La Boheme” në Operën e Vjenës ku personazhi kryesor ishte Saimir Pirgu dhe ndodhi diçka e komplet e papritur.

Duket sikur Saimiri jeton në Vjenë sepse ka shfaqje të shpeshta këtu. Por në fakt kjo është hera e dytë që vjen për sivjet pasi ka bredhur gjithë globin nga Los Angelos, Australi dhe Kinë.

Salla ishte e mbushur superplot me sy kureshtarë që prisnin çfarë do të ndodhte.

Biletat ishin shitur që në gjysmën e këtij viti kur janë publikuar datat. “La Boheme” flet për historinë e dashurisë së Rodolfos që e luante Pirgu dhe Mimit nga Irina Lungu.

Të dy ishin komshinj e filluan të ndjejnë për njëri-tjetrin pasi Mimi shkoi në shtëpinë e Rodolfos për t’i kërkuar një qiri. Gjatë çdo momenti të shfaqjes Saimiri ishte në skenë pa pushim, përveç rasteve kur ndërrohej skenografia e duhej të ndërrohej. Gjatë gjithë kohës mendoja: si mund të mbajë mend njeriu aq shumë fjalë përmendësh? Përveç kësaj të lëvizë lart e poshtë e të këndojë në të njëjtën kohë? Nuk e di, por artistët meritojnë respektin tonë maksimal për punën e veçantë e tepër të lodhshme që bëjnë.

Gjatë historisë së dashurisë Mimi sëmuret dhe po rënkonte në krevat. Ndërkohë Rudolfo i shkretë i shprehte dashurinë duke i thënë fjalët që çdo femër do të donte të dëgjonte. Në momentin më kulminant të shfaqjes ndodhi diçka e papritur. Saimiri tek ecte me vrull drejt koleges së tij për ta përqafuar sipas rolit, i rrëshqet këmba në dysheme. Unë e pashë një lëvizje ndryshe, por s’e vura re fare me detaje. Mendova që ishte rënie dramatike e shkruar në skenar. Pashë se si Irina u çua nga krevati e u afrua pranë tij për ta mbajtur, sepse ajo e kuptoi që kolegu u vra. Asnjë nga ne s’e kapi që Saimiri ndrydhi këmbën ndërkohë që po këndonte e nuk iu drodh zëri në asnjë moment.

Shfaqja vazhdoi edhe për të paktën 15 minuta. Ai nuk dukej aspak që kishte dhimbje, e aktronte si normalisht. Pas shfaqjes doli dhe drejtori i “Staatsoper” për t’i dhënë një çmim të veçantë dirigjentit. U shtuan dhe 10 minuta të tjera.

LEXO DHE :  Ambasada Shqiptare në Ankara: Ja ku duhet të telefonojnë shqiptarët e prekur nga tërmeti!

Protagonistët e shfaqjes u rreshtuan para skenës duke dëgjuar fjalimet e lëvdatat që i bëheshin atij, përfshirë këtu Saimir Pirgun i cili nuk e jepte veten për atë që kishte ndodhur. Pas shfaqjes shkëmbejmë disa mesazhe e më thotë se ka ndrydhur këmbë. Nuk më besohej! Siç duket, në skenë ka patur pak ujë për shkak se në një rol personazhet po pinin e mund të ketë rrëshqitur diçka.

E takoj në prapaskenë ndërkohë që po e priste ambulanca e po e bënin gati ta merrnin për në spital. Të gjithë të shqetësuar për starin e mbrëmjes. Më erdhi keq që ai i cili na zbukuroi natën me performancën e tij, nuk ishte në terezi për të shijuar suksesin e vet. E bukura është se shfaqja “La Boheme” do të vazhdojë në Staatsoper në datat 22 dhe 25 dhjetor. Kështu që Saimirit i duhet të dalë përsëri në skenë e të performojë për rreth 2 orë e gjysmë, pavarësisht rrethanave. “Normal që kisha shumë dhimbje, por shyqyr shfaqja po përfundonte”-më përgjigjet. Kur e pyes nëse do të vazhdojë të jetë në skenë dy ditë pas lëndimit më thotë: “E ve në diskutim ti? S’ka si të jetë ndryshe.”,– më thotë. Me siguri do t’i duhet të performojë me një protezë te këmba.

Disa nga ju mund të thonë se ndrydhja s’është ndonjë gjë e madhe, po të ishte thyerje hajde de. Është që ç’ke me të kur je para 2300 shikuesve e duhet të hiqesh sikur çdo gjë e ke nën kontroll. Harrojmë ta llogarisim që artistëve edhe po t’u ndodhin shumë ngjarje negative pas skene, përballë nesh duhet të dalin të gëzuar për të na kënaqur neve si shikues. Prandaj herës tjetër kur të flasësh për ndonjë artist, mendoje dy herë e krahasoje me veten tënde. A do të dilje nga shtëpia me këmbë të ndrydhur, dhimbje barku, grip apo thjeshtë se nuk je në terezi atë ditë? Epo këtyre personave u duhet të dalin se s’bën. Saimirin do ta ndjek për kuriozitet në livestream të dielën, në faqen e Operës vetëm për ta parë nëse ka ndonjë ndryshim. Të jesh artist nuk është aspak e lehtë. Duhet të sakrifikosh veten për të tjerët, e kjo është një sakrificë që pas shumë vitesh punë përkthehet në sukses. Asgjë nuk ndodh rastësisht! Kushdo është aty ku është për një arsye./dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.