
Xhaçka-opozitës: Bashkëshorti im është biznesmen. Do të investojë miliona!
Dritare.net
Çështja kryesore që mori sot kohën më të madhe në Kuvend, ishte tema e investitorit strategjik, status të cilin e ka përfituar bashkëshorti i Ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Ministrja në përgjigje të akuzave të opozitës, tha se nuk ka shkelur asnjë ligj. Si investitor strategjik, ministrja Xhaçka u shpreh se bashkëshorti i saj, ka fituar vetëm të drejtën për të pasur prioritet në lidhjen e kontratës së përvitshme me bashkinë për marrjen me qira të plazhit përpara hotelit, ndërsa të tjerat sipas saj, janë vetëm investime.
“Nuk kam shkelur asnjë ligj as unë, as bashkëshorti im, as qeveria, as kryeministri e askush. Nuk jam në konflikt interesi as unë e askush.
Këtë nuk e them vetëm unë sepse po ta thosha vetëm unë do të ishte fjala e deputetit Shehaj përballë fjalës time. Këtë e thotë ligji, e ka thënë Gjykata Kushtetuese, e ka thënë ILDKPI.
Im shoq merret me biznes që në vitin 1991. Edhe im shoq, si z. Shehaj e ka nisur biznesin si emigrant në Itali, për ta vazhduar më pas në Shqipëri. Dhe pas 30 vitesh në biznes, është angazhuar sot për të bërë një investim serioz, një hotel me 5 yje në Jug. Tani, qytetarët kur dëgjojnë z. Shehaj që ulërit për statusin e investitorit strategjik, e konfliktin e interesit apo përfitime abuzive nga publikja natyrshëm ju lind e drejta të mendojnë që këtu po bëhet nami. Që këtu po falen prona e fonde e po shkelet ligji e kushedi çfarë tjetër.
Por në fakt, ky investim është një investim privat, në një truall privat, nga investitor privat. Nuk është përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike dhe asnjë metër truall pronë publike për ndërtimin e këtij hoteli me 5 yje. Çdo qindarkë e këtij investimi është produkt i punës 30 vjeçare si një biznesmen i suksesshëm të papërfshirë në tendera apo prokurime apo asgjë tjetër që ka të bëjë me përfitimin e fondeve publike! E dini se çfarë ka përfituar konkretisht? Se jam e sigurt që nuk e dinë as shumë nga kolegët e PD. Si investitor strategjik, ka fituar të drejtën për të pasur prioritet në lidhjen e kontratës së përvitshme me bashkinë për marrjen me qira të plazhit përpara hotelit.
Një kontratë me kohëzgjatje 1 vjeçare, që duhet rinovuar çdo vit pranë bashkisë, dhe që do ta marrë njësoj si plot 1463 subjekte të tjera që shërbejnë në industrinë e turizmit nga Velipoja deri në Ksamil, me të njëjtat tarifa si të 1463 subjektet e tjera. Me pak fjalë, si investitor strategjik, që po investon miliona, që do të punësojë me dhjetëra punonjës, që do të sjellë turistë e do të prodhojë ekonomi e të ardhura për atë zonë e më gjerë, ka përfituar të drejtën të vërë shezllonet në plazh. Ka përfituar të drejtën, sigurinë juridike, që në plazhin përpara hotelit me 5 yje, për të cilin do të duhet të lidhë kontratë qiraje çdo vit, të paguajë tarifa çdo vit, dhe të cilën do t’ua vërë në dispozicion klientëve pa tarifë, siç ndodh në të gjithë botën, nuk do të mbijë ndonjë diskotekë a beach bar i radhës, nuk do të zhvendoset ndonjë i fortë i zonës dhe nuk do të ndodhin ato abuzime sporadike që ndodhin me administratorët lokalë që i lidhin kontratat e qirave edhe sipas qejfit, duke shkaktuar edhe konflikte siç kemi parë shpesh.
Kaq është përfitimi i këtij investimi strategjik, të cilit këtë të drejtë ia njeh ligji, qëllimi i të cilit është pikërisht që të nxisë investimet strategjike, të nxisë bizneset e investitorët vendas e të huaj, që energjitë, kursimet, fondet e tyre t’i çojnë drejt një sektori primar për ekonominë e vendit dhe të ndërtojnë aty investime që prodhojnë ekonomi, e punësim.
Dhe të hedhësh baltë mbi këtë, e të ngresh një furtunë mbi këtë, për faktin nëse një investim serioz me 5 yje fiton të drejtën që të marrë me qira e të vërë shezllonet në plazhin përpara hotelit, kjo është qesharake. Nuk ka asnjë favor. Nuk ka asnjë konflikt interesi, asnjë papajtueshmëri kushtetuese. Dhe nuk e di se çfarë të mendoj, nëse e gjithë kjo është produkt i injorancës, apo i dashakeqësisë", u shpreh Xhaçka./L.F-dritare.net

















