Rama publikon videon e Bashës dhe dokumentet për taksat e mbetjeve: Gënjeshtra e ka hundën e gjatë, po këmbët e shkurtra
Dritare.net
Kryeministri Rama ka publikuar sot një video, nisur nga deklarata e kreut demokrat Lulzim Basha, bërë para pak ditësh në emisionin Opinion. Basha mohoi se qytetarët e Tiranës, do të paguanin taksën e pastrimit prej 37 euro, shifër që u deklarua nga kryeministri në studio. Së fundmi, Rama ka publikuar dokumentet e kontratës së firmosur nga Basha, kur ishte kryetar i bashkisë së Tiranës, sipas së cilës çmimi për mbledhjen dhe përpunimin e mbetjeve do të ishte 37 euro për ton.
"Më 20 gusht të vitit 2013, kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, miraton studimin e fizibilitetit për projektin koncesionar, për 'Shërbimin dhe Menaxhimin e Mbetjeve Urbane dhe të pastrimit të qytetit të Tiranës'. Bëhej fjalë për një kontratë 20 vjeçare, sipas së cilës çmimi për mbledhjen dhe përpunimin e mbetjeve do të ishte 37 euro për ton, 8 euro për ton më shumë se sa sot, kur qyteti pastrohet 3 herë në ditë. Basha e mohoi në emision, por kjo shifër vërtetohet në dokumentin e firmosur nga vetë ai", thuhet në video e publikuar nga kryeministri Rama./L.F-dritare.net