Rama: Ndryshimet kushtetuese, u bënë në kohën e duhur!
Dritare.net
Kryeministri Rama, në një intervistë për Report Tv, në lidhje me ndryshimet kushtetuese, u shpreh i bindur se kjo ishte gjëja e duhur që duhej bërë, dhe momenti i duhur.
"Sigurisht që ky ishte momenti kur këto mund të bëheshin dhe u bënë dhe patjetër që ishte gjëja e duhur. A mund të ishin bërë më parë? Sigurisht nëse do të ishin kushtet, por kushtet u krijuan së fundmi dhe ne bëmë më të mirën për t'i shfrytëzuar për të sjellë një risi të rëndësishme kushtetuese që i hap rrugën pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin zgjedhor me një zë më të fortë, pasi nuk do të zgjedhin vetëm partinë që duan, por edhe deputetin".
Ai përsëriti që miratimi në Kuvend i ndryshimeve kushtetuese, nuk cënon aspak marrëveshjen e 5 qershorit.
"Në momentin që koalicioni sikur ishte nuk ekziston më, saktësimi nuk është i nevojshëm. Marrëveshja ka qartësisht në draftin e dakordësuar një numër pikash, që kjo që përmendët nuk hynë fare. Vetë marrëveshja nuk është prekur në asnjë pikë të sajën. Nuk ka lidhje fare, janë teknikalitete që kanë të bëjnë me formulën e koalicionit që nuk është më e njëjta, por koalicioni parazgjedhor do të jetë përsëri i mundshëm, për ato parti që duan të kthehen në një subjekt të vetëm dhe të kenë listën e tyre të përbashkët" tha Rama./L.F-dritare.net