
Rama: Me sistemin e ri të Kadastrës nuk ka më ryshfet e sekëlldi!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me sistemin e ri të Kadastrës, ku në ‘Facebook’ shkruan se puna online po ecën mirë.
Rama shkruan se me këtë sistem nuk ka më shanse për ryshfet, favore dhe nuk ka nevojë për të shkuar fizikisht nëpër zyra, pasi çdo gjë procedohet online.
Ndër të tjera thekson ky sistem është armiqësor ndaj korrupsionit dhe miqësor me qytetarin.
“Dhe thonë e thonë s’funksionon sistemi i ri i Kadastrës…
Kjo është vetëm një fotografi e fluksit të punës së sistemit digjital, ku mund të shihen qartë datat hyrëse e dalëse të aplikimeve, pa sportel, pa kontakt fizik me punonjësit, pa mundësi ndërhyrjeje nga lart, poshtë, anash për të marrë e dhënë favore, pa shans për rryshfet sepse sistemi nuk ha mik dhe pa të gjitha sekëllditë e tmerret e të kaluarës në marrjen e shërbimit????
Ndërkohë që po, e vërtetë, s’funksionon më sistemi i vjetër, zhbëhet përditë rrjeti i sekserëve, influencave të llojllojshme, buburrecave e minjve brenda kadastrës, të cilët vazhdojnë të dorëhiqen prej tharjes së burimeve të pista, vazhdon papushim puna për përmirësimin dhe rritjen e efiçencës së sistemit të ri, i cili ka ende problemet e veta, por edhe kështu siç është ka dhënë dy prova të mëdha, si një sistem ARMIQËSOR ME KORRUPSIONIN dhe MIQËSOR ME QYTETARIN”, ka shkruar ai./M.K-dritare.net

















