
Po bashkohemi për fitore/ Zbardhet marrëveshja Bashës me aleatët!
Dritare.net
Kreu demokrat Lulzim basha, dhe aleatët e tij kanë firmosur sot një marrëveshje për të konkurruar së bashku në zgjedhjet e prillit për vendet në Kuvend. PD do të jetë udhëheqëse e koaliconit opozitar ndërsa për dorëzimin e marrëveshjes në KQZ është autorizuar Ivi Kaso. Numri përkatës i kandidatëve që do të propozojë çdo parti brenda koalicionit do të specifikohet në momentin e depozitimit të listës shumëemërore të kandidatëve të koalicionit.
“Ne bashkohemi që të garantojmë fitoren në zgjedhjet e ardhshme dhe t’i sjellim ndryshim vendit tonë. Të gjithë e dimë që duhet ndryshim. Shqiptarët janë të fortë, Shqipëria është e fortë. Ka vetëm një njeri përgjegjës për dështimin e Shqipërisë në 8 vitet e fundit dhe ky është Edi Rama. Ne po ndajmë të njëjtat vlera e parime në veprimtarinë e përgjithshme politike, si edhe në vizionin për qeverisjen e vendit. Në listën shumëemërore të koalicionit zgjedhor do të përfshihen, për çdo parti të koalicionit, numri i kandidatëve dhe renditja e tyre, bazuar në peshën elektorale që rezulton për secilën parti. Kandidatët në listat shumëemërore të koalicionit, pavarësisht se cilës parti i përkasin, do të konsiderohen dhe vlerësohen si kandidatë vetëm të koalicionit”, thuhet në marrëveshje. Pjesë e këtij koalicioni, do të jetë PR e Fatmir Mediut, PAA e Agron Dukës, PDK e Nard Ndokës, PBDNJ e Vangjel Dules, PDIU e Shpëtim Idrizit. Surprizë ishte bashkimi me FRD-në, parti kjo e themeluar nga ish- presidenti Bamir Topi, sot e drejtuar nga Sali Shehu./L.F-dritare.net

















