Përplasja e demokratëve për drejtimin e PD, analisti: Meta po përfiton!
Dritare.net
Pasi KAS njohu sot Lulzim Bashën si kryetar të PD, sipas analistit Naim Lapardhaja mendon se nga gjithë konflikti mes demokratëve i vetmi që përfiton është Ilir Meta, pasi kandidatët e Sali Berishës do të regjistrohen në listën e PL-së dhe jo asaj demokratike.
Komentin lidhur me opozitën, Lapardhaja e dha në intervistën e ditës në Dritare.net ku theksoi se demokratët duhet ta kuptojnë se me Berishën nuk vjen në pushtet por veçse i shërben mazhorancës.
“Nga gjithë ky konflikt, përfituesi më i madh është Ilir Meta, përderisa Berisha regjistroi kandidatët tek PL. Fleta e votimit do ketë emrin e Metës, jo Bardhit dhe Berishës. Po ashtu përfiton edhe mazhoranca, e cila me problemet vijon që të qeverisi e patrazuar fare. Për shkak të kësaj opozite dhe konflikteve të mëdha, gjithë sherrnaja, ku Berisha është strumbullar, janë bërë tubi i oksigjenit i kësaj qeveri. Demokratët duhet të kuptojnë se me Berishën nuk vijnë dot në pushtet, nuk do kemi një opozitë që do e zëvendësojë në mënyrë cilësore këtë mazhorancë.
Deputetët që çfarë kanë thënë për Berishën dhe më pas për Bashën, problemin e kanë me veten. Nëse e quajnë Berishën kryetar të PD, këta nuk janë shqetësim pasi humbja e të vërtetës është bërë kaq e njohur. Ajo që i duhet PD është që të bëhet e besueshme në elektorat, besimi me institucionet është tjetër gjë, Berisha është ilegal deri sa mos ketë një parti të re ose sigël tjetër”, tha ai.
Lidhur me ndryshimet në qeverinë e Edi Ramës, analisti tha se emrat e rinj të ministrave nuk do t’i sjellin asgjë vendit.
Kjo pasi sipas tij, Rama me ministrinë e re që do krijojë për pushtetin lokal do të jetë edhe kryeministër dhe kryebashkiak i Shqipërisë.
“Ndryshimi i ministrave të Ramës nuk do sjellë asnjë gjë, risia është që është krijuar një ministri e re e pushtetit lokal. Rama është dhe kryeministër dhe kryebashkiak i Shqipërisë. Kemi disa ministra me profil të ulët publik, ndërkohë që Rama hoqi ministrat që kanë pikëtakimi me SPAK. Rama është i qartë, do e ndajë pushtetin nga goditja që mund t’i vijë nga SPAK”, përfundoi analisti./M.K-dritare.net