
Opozita: Nëse nesër votohen ndryshimet, vritet marrëveshja e 5 qershorit!
Dritare.net
Pas përfundimit të diskutimeve në Këshillin Politik, që zgjatën rreth 5 orë, në një deklaratë për median, opozita jashtë parlamentare tha se ata janë ndeshur me refuzimin konstant nga ana e PS. Oerd Bylykbashi, tha se nëse nesër do të votohen në parlament, ndryshimet kushtetuese, do të vriten marrëveshjet e 14 janarit dhe ajo e 5 qershorit.
“Pas një propozimi shumë konkret që bëri opozita e bashkuar për hapjen e listave 100%, jemi ndeshur për gjithë këto orë nga refuzimi konstant i mazhorancës. Ajo që kërkon mazhoranca është krejt tjetër. Ne kemi kërkuar motivet e refuzimit dhe PS ka refuzuar. PS ka për synim të ndryshojë rregullat e lojës në mënyrë të njëanshme, vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve. Ne e bëmë të qartë se me veprimin e njëanshëm, që janë gati të ndërmarrin nesër me ndryshimet kushtetuese të PS, do të vritet marrëveshja politike e 14 janarit dhe ajo e 5 qershorit, duke minuar një proces kaq të gjatë politik, që do të mundësonte zgjedhje me standard.
Propozimi jonë ka qenë shumë i qartë, që do të çonte në kompromis, që listat të ishin 100% të hapura dhe më pas ndryshimet të bëheshin në Kodin Zgjedhor. Shqiptarët nuk kanë kërkuar asgjë nga ato që po përpiqet të bëjë Edi Rama. Propozimi ynë qëndron ende mbi tryezë, nëse pranon PS, që t’iu afrojmë shqiptarëve mundësinë të vendosin me fuqinë e votës së tyre”, tha Bylykbashi./L.F-dritare.net

















