Na ndiqni edhe në

Politikë

Ndryshimet Kushtetuese/ Spiropali: Vendim historik, jo për të kuruar frikërat e opozitës, por për të shëruar disa nga plagët e zgjedhjeve në Shqipëri

Ndryshimet Kushtetuese/ Spiropali: Vendim historik, jo për të kuruar

Menjëherë pas ndryshimeve kushtetuese sot në Kuvendin e Shqipërisë janë shtuar sulmet dhe akuzat politike. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha në Euronews Albania se votimi i sotëm në Kuvend ishte historik për ecurinë e demokracisë

“Ne nuk e shohim si një vënie kapaku, por e shohim si krijimi i mundësive të reja në skenën politike shqiptare. Besojmë se sot ishte në votim historik në Kuvendin e Shqipërisë, që i hap rrugë demokratizimit të mëtejshëm të procesit zgjedhor në Shqipëri”, tha ajo.

Kalimi i ndryshimeve kushtetues për listat e koalicionet me 106 vota “pro” është kundërshtuar nga opozita e bashkuar, por edhe nga presidenti i Republikës Ilir Meta. Sipas Spiropalit këto reagime janë të pritshme, ndërsa shtoi se ato fyerje tregojnë “nivelin dëshpërues të saj”.

“Janë të pritshme reagimet dhe kërcënimet. Patjetër, në raste se ulesh në tryezë edhe pret që pushteti të të jepet aty, dhe nëse pret që ndryshimet ligjore do të mundësojë të vish në pushtet pa ide, pa lider dhe pa punë, patjetër që do të kërcënojnë. Ato kërcënime janë dëshmia më e qartë se sa humbëse dhe e dëshpëruar është opozita shqiptare, e cila nuk ka mbërritur të krijojë as frymë dhe as mbështetje tek shqiptarët”, tha ajo.

Deputetja e PS-së shtoi më tej se përmes ndryshimeve të sotme, qytetarët shqiptarë kanë mundësi të zgjedhin jo vetëm liderin e partisë, por edhe deputetin që do t’i përfaqësojë në Kuvendin e Shqipërisë.

“Besoj se sot vumë gurin e themelit më të rëndësishmin në mundësimin e votës jo vetëm për partinë e liderin, por edhe për deputetin. Në ndryshimet kushtetuese nuk përcaktohen detajet e hapjes së listave apo koalicioneve, por vetëm sanksionohet që "jo më pak se 2/3 e listës duhet t’i nënshtrohet votimit preferencial". Përmes ndryshimeve në ligj, shqiptarët kanë mundësinë të votojnë jo vetëm partinë, por edhe deputetin. Ne e kemi mundësuar këtë sot me 106 vota në Kuvend dhe i kemi bërë ftesë të hapur opozitës, që këto risi kushtetuese të përkthehen edhe në legjislacionin e zgjedhjeve. Kemi marrë mbrapsht kërcënime dhe shantazhe, por jemi të mësuar me këto sjellje. Kjo është një sjelljeje e dëshpëruar dhe me këtë jemi përballur edhe në 2017. Ky vendim historik është në të mirën e vendit, por ne nuk mund të kurojmë frikërat e opozitës, por duam të kurojmë plagët e Shqipërisë”, tha Spiropali.

Pavarësisht tensioneve dhe akuzave, ministrja Spiropali theksoi se Partia Socialiste është e hapur të ulet në tryezë me opozitën jashtëparlamentare, që ndryshimet kushtetuese t’i përkthejnë në ligj zgjedhor.

“Kemi votuar në Kuvend dhe do të implementojmë një sistem që e kanë shumë vende europiane. Partnerët kanë ndërmjetësuar një marrëveshje, e cila është votuar në Kuvend dhe kanë shprehur lëvdata për miratimin e asaj marrëveshje. Tani duhet të ulemi që këto risi kushtetuese t’i përkthejmë edhe në ligjin zgjedhor. Me këdo që është i gatshëm që të ulet në atë tryezë. Ftesa jonë ka qenë aty, gjithmonë e palëkundur. Opozita t’i lërë kërcënimet dhe fyerjet dhe daljet nga binarët institucionalë dhe të diskutojmë se si t’i bëjmë realitet”, theksoi Spiropali.