Na ndiqni edhe në

Politikë

Ministrat në pikëpyetje. Lëvizjet që priten pas asamblesë së PS!

Ministrat në pikëpyetje. Lëvizjet që priten pas

Sot në 16.30 kreu i socialistëve do të mbledhë Asamblenë Kombëtare të PS. Pritet që Rama të bëjë ndryshime në kabinetin qeveritar por ndonëse ministrat janë në pikëpyetje, pak prej emrave që mund të lëvizin mund të thuhen me siguri. Zyrtarisht lëvizjet do të mësohen pas mbledhjes, pasi vendimet mbahen brenda dyerve të kryeministrisë.

“Reflektime dhe qarkullim mendimesh e idesh në prag të një sezoni të ri reformimesh dhe vetëreformimi", tha Rama në Tepelenë më 28 korrik pas mbledhjes dy ditore të qeverisë.

Mirela Kumbaro, ministrja e Turizmit ishte e vetmja që mori vëmendje në fjalën e Ramës pas mbledhjes, duke e vlerësuar maksimalisht për punën e saj.

Asnjë koment për ministra të tjerë, por ajo që përflitet është që kreu i socilistëve t’i japë më shumë rëndësi atyre që qëndrojnë pas ministrave, duke sjellë kështu në skenë zëvendësministrat.

Nuk pritet të ketë surpriza për Taulant Ballën, i cili mori detyrën si ministër i Brendshëm në 15 korrik të këtij viti.

Ministrja e Ekonomisë Delinda Ibrahimi është në listën e të “rrezikuarve”. Lajmi për shkarkimin e saj erdhi që në korrik, ministrja dhe vetë Rama pas publikimit, e mohuan, duke e cilësuar si thashethem vere. Tashmë që vera mbaroi, duhet të presim nëse ministrja Ibrahimi, është në listën e lëvizjeve të vjeshtës. Zonja Ibrahimi shërben si ministre e Financave dhe Ekonomisë që prej shtatorit të 2021.

Belinda Balluku është ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë që prej janarit të vitit 2019, si dhe Zv. Kryeministre që prej gushtit të vitit 2022. Një prej ministrave që e ka mbajtur më gjatë në kohë postin e saj. Frida Krifca, Ministrja e Bujqësisë dhe zhvillimit rural, është një tjetër emër në diskutim. Emri i ministres Krifca u vu në diskutim pas lajmit se OLAF i Bashkimit Evropian po heton për shpërdorim të fondeve Ipard për bujqësinë shqiptare.

Por aludimet do të marrin fund vetëm pas mbledhjes së Asamblesë./L.F-dritare.net