Na ndiqni edhe në

Politikë

Dosja e SPAK! Berisha bën VKM për HEC-e dhe HEC-et paguajnë mijëra euro për dhëndrin Jamarbër Malltezi!

Dosja e SPAK! Berisha bën VKM për HEC-e dhe HEC-et paguajnë

A ka përfituar familja e vajzës së ish-kryeministrit, dhëndri dhe Sali Berisha vetë nga pushteti? A ka fakte, prova që tregojnë korrupsionin e kësaj familje, në bazë të të cilave pastaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shpallën familjarisht ata “Non grata”?

Për hetuesit e SPAK kjo gjë tashmë është jashtë çdo dyshimi dhe shembujt në 500 faqe raport janë të pafundme. Shqiptarët janë njohur nga media për vite me radhë se si funksiononte studio ligjore e Argita Berishës nga viti 2005 deri në 2013 me VKM-të e personalizuara të bëra nga babai i saj kryeministër si dhe përqindjet që ajo u merrte të njëjtëve klientë. Dosja më e fundit e SPAK mbi skandalin Partizani sjell të tjera raste të panjohura se si funksiononte përfitimi edhe nga ana e dhëndrit Jamarbër Malltezi nga VKM-të e ish-kryeministrit Sali Berisha. Si për shembull, rasti i Hidrocentralit të Ashtës dhe të tjerë hidrocentrale që pasi merrnin licenca nga VKM-të e kryeministrit, shpiknin punë dhe pagesa për dhëndrin Jamarbër Malltezi për vite me radhë duke kaluar mijëra euro në llogaritë e tij personale në banka të ndryshme të Tiranës.

Historia mes Sali Berishës dhe firmës Österreichische Elektrizitätsëirtschafts-Aktiengesellschaft sipas SPAK nis me 17 tetor 2008, kur ish-kryeministri miraton një VKM, (praktikë dhe me raste të tjera të ngjashme) për ndërtimin, pronësinë, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të një hidrocentrali të ri në Ashtë, Bushat të Shkodrës. Nisin punimet, hidrocentrali realizohet dhe vendimi numër 170 datë 18.12.2012 Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) prapë me urdhër të Sali Berishës vendos të miratojë edhe marrëveshjen e shitjes së energjisë mes KESH sh.a dhe Energji. Ish-kryeministri Sali Berisha në kronikat e kohës, të cilat ndodhen dhe në Youtube me një entuziazëm të jashtëzakonshëm e konsideron Hidrocentralin e Ashtës mbi lumin Drin si “...një risi botërore dhe ndër më të avancuar. Hidrocentrali i Ashtës nuk e cenon mjedisin, përkundrazi e përmirëson. Ne do të vazhdojmë me shumë projekte të tilla”, tha Berisha në atë kohë. Në të vërtetë, Ish-kryeministri Sali Berisha kishte disa arsye të dukshme dhe të padukshme për të qenë kaq i lumtur. Ja çfarë zbuloi SPAK në faqen numër 400 të dosjes.

“Përgjatë viteve konstatohet – shkruan SPAK, - se shtetasi Ardian Shehu, për llogari të një marrëdhënie të shoqërisë Energji Ashta si më sipër të krijuar dhe të projektit të mësipërm rezulton se paguan shtetasin Jamarbër Malltezi si vijon:

Në vitin 2008 në llogarinë e Jamarbër Malltezit , Adrian Shehu ka derdhur 18.900 Euro

Në vitin 2009 në llogarinë e Jamarbër Malltezit, Adrian Shehu ka derdhur 8.820 Euro

Në vitin 2010 në llogarinë e Jamarbër Malltezit, Adrian Shehu ka derdhur 25.754 Euro

Në vitin 2011 në llogarinë e Jamarbër Malltezit, Adrian Shehu ka derdhur 12.1290 Euro

Në vitin 2012 në llogarinë e Jamarbër Malltezit, Adrian Shehu ka derdhur 7.985 Euro

Në vitin 2012 në llogarinë e Jamarbër Malltezit Adrian Shehu ka derdhur 5.760 Euro

Në vitin 2013 në llogarinë e Jamarbër Malltezit Adrian Shehu ka derdhur 2.220 Euro

Për një total prej 81,595 Eurosh. I pyetur nga hetuesit e SPAK, Adrian Shehu në emër të firmës së Hidrocentralit të Ashtës, është përgjigjur se e njeh prej kohësh Jamarbër Malltezin dhe duke qenë se ishte Pedagog i Universitetit Bujqësor të Kamzës, dhe ka qenë në grupin e punës për vlerësimin dhe ndikimin në mjedis të hidrocentralit të Ashtës. Një pjesë të parave e ka marrë edhe për Devollin, një tjetër koncesion. I njëjti fat, sipas SPAK i qëlloi edhe Mati Hidropower Plant, një bashkim hidrocentralesh më të vogla, i cili gjithashtu me një koncesion të vitit 2012 të firmosura nga Sali Berisha, i paguan më pas dhëndrit të Berishës dy projekte: Një në 2013 me një shumë prej 10.300 Euro dhe tjetri në 2014 me një shumë 20.174 Euro. Në total nga ky grupim hidrocentralesh iu dhanë Jamarbër Malltezit plot 30.474 Euro.

Në një formë tjetër vepron edhe një tjetër kompani që merr projekte nga Qeveria Shqiptare. Italiania Irene Acqua Gas Albania Brunch në vitin 2009 merr dy projekte në dorëzim në Golem dhe në Tiranë lidhur me shërbimet e integruara të ujit dhe të shpërndarjes së gazit. E njëjta kompani në vitin 2010, po sipas të dhënave në dosjen e SPAK, angazhohet në Bovillë me një projekt të tretë që përfundon në vitin 2013. Projekti i Golemit përfundoi në 2013. Me datë 01.01.2012 mes Argita Malltezit dhe Raimondo Chiodi, menaxher i firmës Irene Acqua Gas Albania, lidhet një kontratë qiraje për apartamentin 12/5 në pronësi të Argita Malltezit në ETC në Tiranë. Ajo që bie në sy është se apartamenti prej 120 metra katrorë në këtë vit jepet me shifrën marramendëse prej 8000 eurosh në muaj, shifër aspak e përshtatshme me tregun dhe kohën e marrjes së këtij apartamenti me qira dhe që tingëllon më shumë si një ryshfet për mbështetjen e ofruar nga kryeministri.

Dosja më e fundit e SPAK që akuzon ish-kryeministrin Berisha për korrupsion dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për korrupsion dhe pastrim parash, hedh dritë të re mbi aktivitetin e familjes Berisha, por duhet thënë, se ende mbeten në errësirë të tjera aktivitete, veprime, të kësaj familje që me siguri do të qartësohen./shqiptarja