
Berisha mbron Ahmetajn dhe sulmon Veliajn për inceneratorët
Dritare.net

Ish-kryeministri Sali Berisha në një deklaratë për mediat ka komentuar aferën e inceneratorëve dhe arratinë e ish.zv-kryeministrit Arben Ahmetajt.
Berisha tha se Ahmetaj është përfshirë në veprën penale për aferën e djegësave, për të cilin SPAK ka dhënë ndaj tij dhe urdhër-arrest.
Ndër të tjera, Berisha ka akuzuar kryebashkiakun Erion Veliaj se është përfshirë në vjedhjen e taksave të shqiptarëve pas afererës së inceneratorëve.
“Nuk është gabim, por vjedhje e krim i Erion Veliajt dhe askujt tjetër, detyrimi antiligjor i bizneseve që pas vitit 2016, që çdo kuintal dhe apo inerte, ta depozitojnë vetëm në Sharrë, dhe vetëm e vetëm që kompania e djegësit të Veliajt të merrte 450 milionë euro nga këto biznese. Nuk janë gabime, por vepra penale të gjitha firmat e vendosura për djegësin e Tiranës, sepse ai është fakti penal më i tmerrshëm për të cilin SPAK ka lëshuar urdhër-arresti për Arben Ahmetajn, pavarësisht se ai e kishte kundërshtuar këtë procedurë 5 herë. Së fundmi, ai firmosi vetëm pasi ti me firmën tënde dhe vulën e bashkisë, mashtrove për leverdishmërinë e djegësit”, tha Berisha.
Berisha tha se së shpejti kryebashkiaku Erion Veliaj do të ‘merret nën hetim’ nga qytetarët e Tiranës, edhe pse po mbrohet nga SPAK-u i partisë. Por sipas tij, Veliaj nuk mund të fshihet në malin e shpifjeve që po ndërton pasi do të jenë qytetarët ata që do të përbysin piramidën kriminale që i qëndron në supe e taksa.
“Për të gjitha këto, PD paralajmëron se pavarësisht nga malet e shpifjeve që mund të ndërtosh, pavarësisht nga mbrojtja e Edi Ramës dhe partisë shtet, pavarësisht nga devijimet e hetimeve për të të mbrojtur ty nga SPAK i partisë dhe shpallja jote si klient myshteri, së shpejti qytetarët e Tiranës do të vendosin ty, njërin nga kryehajdutët e vjedhjes së shekullit, në bankën e turpit, ku ti e ke vendin.
Qytetarë dhe qytetare, fjala juaj, vullneti juaj, guximi juaj, janë vendimtarë për të përmbysur këtë piramidë kriminale që qëndron mbi supet, taksat, qenien tuaj”, tha Berisha./M.K-dritare.net

















