Berisha mbledh demokratët në Fier, në sulm ndaj Bashës: Më mirë qiri i fikur se sa i fëlliqur!
Dritare.net
Nga Fieri Ish-kryeministri Sali Berisha iu ka kërkuar demokratëve të Fierit të mos pranojnë asnjë ndarje mes tyre, në të Bashës dhe të Berishës. Ai theksoi se nisma e tij nuk është për veten e tij, por për PD-në. Berisha deklaroi se e ka mbështetur Bashën më shumë se të gjithë dhe se asnjërit, kurrë ndonjëherë nuk i shkonte ndërmend se kryetari i PD do dilte me një vendim për të dorëzuar sovranitetin e PD.
“Ju ftoj që ky debat të zhvillohet midis njerëzve që iu besojnë vlerave, që marrin përgjegjësi, midis njerëzve për shpresën për të ecur të sigurt drejt fitores. Ju ftoj ju të mos pranojmë në asnjë mënyrë asnjë lloj ndarje midis nesh, të Bashës dhe të Berishës, të Berishës dhe të Bashës, ju jeni njerëzit e vlerave, të besimit, të lirisë, të të ardhmes së vendit. Atyre që janë në këtë sallë dhe kanë mbështetur Lulzim Bashën, të tjerëve që nuk janë këtu dhe kanë mbështetur Lulzim Bashën, të tretëve që nuk e duan Sali Berishën, u them vetëm një fjalë, më shumë se të gjithë ju Lulzim Bashën e ka mbështetur Sali Berisha, ndaj ju keni mbështetur kryetarin e PD-së. Unë kam mbështetur kryetarin e PD-së. Asnjëri nga ne, kurrë ndonjëherë nuk i shkonte ndërmend se kryetari ynë një ditë, i marrë peng në mënyrë absolute do mundej që pa pyetur, pa pyetur asnjë njeri, asnjë forum, asnjë nen statuti, asnjë parim mbi të cilin është ndërtuar PD-ja del me një vendim për të dorëzuar sovranitetin e PD-së. Miqtë e mi secili nga ju ka të drejtë të shtrojë një pyet, Doktori e ka për vete këtë nismë apo për PD? Unë ju jap fjalën e nderit se e kam kryekëput për PD-në, për anëtarësinë e PD-së. Ne kemi një fjalë të urtë, e cila thotë ‘më mirë qiri i fikur se sa qiri i fëlliqur’. Ndaj dhe ne, ndalemi këtu. Ndalemi këtu”, deklaroi nga Fieri, Berisha./Dritare.net