
Basha: Nuk e kam braktisur tryezën për Reformën Zgjedhore
Dritare.net
Kreu demokrat Lulzim Basha ka dalë sot në një komunikim me gazetarët, pas takimit me ekspertët e PD për Reformën Zgjedhore. Basha tha se shembja e teatrit ishte një lojë e kryeministrit për të bllokuar Reformën Zgjedhore.
“Loja e Edi Ramës me shpresën se duke shkatërruar Teatrin Kombëtar do të shkatërronte edhe reformën zgjedhore dhe shanset për t’iu dhënë shqiptarëve një orë e më parë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të merrte peng procesin e integrimit europian të vendit tani doli zbuluar. Të gjithë e kanë parë, shqiptarë dhe të huaj këtë plan mafioz që ka për qëllim të pengojë reformën zgjedhore, të pengojë integrimin europian të vendit dhe të lejojë Edi Ramën të përdorë të njëjtat mekanizma që ka përdorur edhe më parë për të manipuluar vullnetin e shqiptarëve dhe për ta mbajtur Shqipërinë peng të krizave ciklike. Ne jemi të vendosur të mos e lejojmë këtë. PD dhe opozita e bashkuar është e vendosur që t’iu japë shqiptarëve një orë e më parë garancitë për t’iu drejtuar kutive të votimit dhe për t’u bashkuar në një votë plebishitare për të larguar këtë të keqe”, deklaroi Basha./L.F-dritare.net

















