Basha në Pogradec, thirrje qytetarëve: Merrni vetë masat ndaj virusit, se qeveria është dorëzuar!
Dritare.net
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka zhvilluar sot takim me qytetarët në Pogradec. Gjatë vizitës, Basha u bëri thirrje qytetarëve të marrin masa vetë ndaj Covid-19, pasi sipas tij qeveria është dorëzuar.
"Të dashur miq, ju përshëndes këtë të shtunë nga Pogradeci, ku do të vazhdoj takimet me biznesin, me hotelerinë, me qytetarët, ku situata, për fat të keq, vazhdon të jetë e rëndë.
E rëndë është edhe situata e COVID-it, ndaj, dua t’ju përsëris thirrjen që ju bëra edhe mbrëmë: Ju lutem, merrni masa maksimale, përmes distancimit, përmes maskave në ambiente të mbyllura dhe përmes higjienës. Qartësisht, qeveria është dorëzuar.
Nuk ka asnjë plan, asnjë strategji dhe refuzon të bëjë të ditur çfarë masash po merr për këtë valë të dytë, nëse mund ta quajmë kështu, të infeksioneve, e cila është shumë e lartë dhe që ka zhbërë sakrificën tremujore të secilit prej nesh.
Mos prisni gjë nga qeveria! Merrni masa, mbrohuni dhe të bëjmë gjithçka për një ndryshim sa më të shpejtë dhe sa më të madh në atë drejtim nga i cili do të përfitojnë të gjithë shqiptarët me ekonomi, me punësim dhe me mirëqenie dhe jo vetëm një grusht njerëzish”, tha Basha./E.B-dritare.net