Po ngjituni maleve, ç’rrini në kafe gjithë ditën!
Dritare.net
Për herë të dytë, shkova në fshatin Vajzë të Vlorës për të blerë djathë dhe gjalpë në baxho. Pasi ke shkuar një herë në qytetin e vjetër, Amantia, të duket se nuk ke më pse kthehesh, edhe pse shtrirja e rrënojave është më e gjerë se stadiumi që mund të arrihet lehtësisht me makinë.

Megjithatë mendova të provoj edhe njëherë se ku të çonte rruga e malit. Informacion nuk kishte kështu që eksplorimi përparonte vetëm intuitivisht. Me pamjen e kodrave e kullotave në të djathtë, gjelbërim e rrënoja në të majtë, rruga është e lehtë.

Mund të bëhet dhe nëse jeni me fëmijët me vete sepse nuk zgjat më tepër se 30 minuta në vajtje dhe më pak në kthim. Nuk ka asnjë pengesë deri sa mbërrin në pikën ku dëgjohen të lehurat e qenve.

Janë kaq të egër (4 qen që ruanin dhitë) sa s'mund të vazhdosh rrugën. Këtë herë, për fat, doli banori i së vetmes shtëpi majë malit për të na ndihmuar. Lidhi qentë dhe na tha se po të ecnim edhe pak, të zbrisnim poshtë malit, do të gjenim shpellën e Katafiqit që sipas tij i përkiste fshatit Ploçë*. Mundet që shpella të ketë edhe një emër tjetër.
Katafiqin, nëse udhëtoni, duhet ta keni hasur edhe në Tomor ose në zona të tjera të Shqipërisë. Ishte e pazakontë! Grupet eksploruese që vizitojnë çdo fundjavë natyrën ndoshta e kanë parë më nga afër, por ia vlente të përpiqeshe aq pak edhe për kaq sa pamë. Prej aty mund të shihje shenja të tjera të qytetit, por për të vijuar duhej të jeni pak më të organizuar sepse terreni vështirësohet dhe duhet të keni një shoqërues që njihet me zonën. Këtë herë u kthyem, por tani nuk mendoj më që s'kam pse shkoj sërish./dritare.net