Na ndiqni edhe në

Ora e Gallatës

Zbulohet misteri pse u tërhoq Putini!

Zbulohet misteri pse u tërhoq Putini!

Tërheqja e papritur e disa njësive ruse nga kufiri me Ukrainën, i ka çorientuar analistët e inteligjencës perëndimore. Ata nuk po gjenin një shkak të arsyeshëm në këtë lëvizje të çoroditur të Putinit, por pas informacioneve që erdhën nga misioni i tyre në Tiranë, u bë e qartë çdo gjë.

Shkaku i parë ishte thirrja e udhëheqësit të opozitës së opozitës, Sali Berisha, i cili bëri thirrje që t’i dërgoheshin fishekë Ukrainës. Nisur nga eksperienca e Gërdecit ku ky kishte hedhur në erë veten, rusët menduan se ky ishte një kërcënim serioz për aksione kamikaze ku ukrainasit do të vrisnin veten me fishekët shqiptarë që do ju plasnin në duar sapo rusët të futeshin në llogoret e tyre.

Shkaku i dytë ishte shfaqja e Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë hipur mbi një mushkë. Kjo u mor si mesazh se nëse pushtohej Ukraina, Shqipëria do ta ndihmonte me ekspertë të luftës partizane, ku dihet që shqiptarët kanë një traditë të thekur për pritën pas ferrës.

Por ajo që i vuri kapak frikës së Putinit dhe i mbushi mendjen të tërhiqej, ishte paralajmërimi i avokatit të madh Ngjela, i cili kishte deklaruar se nëse Putini vazhdonte me pushtimin, ai do të arrestohej.

Nisur nga fakti që avokati është një lloj Baba Vange në stil shqiptar, udhëheqja ruse u tremb për ndonjë qamet dhe anuloi sulmin. Ndërkohë shërbimet e sigurisë ruse kanë filluar arrestimet dhe hetimet se kush janë pjesëtarët e komplotit që do të arrestonte Putinin. Deri tani nuk ka të dhëna, por gjithsesi paralajmërimi i avokatit të famshëm e bëri punën. Ndërkohë në Kremlin ka tre rryma mendimi ku njëra thotë se avokati e ka përdorur këtë blof me udhëzimin e amerikanëve. Rryma tjetër beson se është pjesë e rrjetit të magjistarëve. Ndërsa një pjesë e enturazhit rus mbështesin tezën se personi në fjalë është thjesht një delirant i cili ka gjetur një treg të mirë mes shqiptarëve ku 70% e popullsisë i beson një gjysmë të çmenduri që është kundër vaksinës dhe ju tregon përralla mbi komplotet botërore.

Gjithsesi inteligjenca perëndimore është e bindur se kërcënimi shqiptar ishte shkaku kryesor që Putin dha urdhrin e tërheqjes dhe janë të mendimit që t’i përdorin këto asete edhe në një përplasje të mundshme me Kinën./dritare.net