
I nderuar zoti president,
Tash me thanë të drejtën ti si president nuk dukesh hiç por hajt ma, e ke pas nafak. Fat si ky joti, nuk kena pa.
Keni fillu me ardh shpesh kohët e fundit n’Shkodër e meqë na ke zanë derën po t’i napim edhe nja dy këshilla.
Sefte na e kuptojmë që edhe ju e keni kuptu se revolucionet nuk fillohen nga Skrapari dhe Tropoja prandaj doni me nguc Shkodrën. Nuk jena kundra se nuk është se na pëlqen fort qeveria e Ramës.
Vetëm se për këtë punë duhet të filloni me e vra pak mendjen me na ysht.
S’parit kur vini këtu mos flisni e shani si Maria e Reçit. Po t’jetë për t’shame, libri dialektit tonë asht mjaft ma i pasun edhe se ai zyrtar, por kur flasim për politikë puna asht serioze dhe jo si në mejhane.
Nji këshillë tjetër ka lidhje me pijen. Mos na hajdeni të dehun nëpër takime. Na e kuptojmë se ti Ilir e ke fillu vonë pijen dhe ma tepër se ashik i ngjan Reshit Zgordhës kur dehej për vitin e ri se binte n’raki. Por na n’Shkodër kur nisna për me qit pushkë e me kërku nuse, nuk shkojmë të dehun.
Këshilla e tretë ka t’bajn me pjesëmarrjen. Shkodrën nuk e lëvizin gjithfarë halabaku i mledh n’zall t’Kirit e karabushi nëpër rrugica, por familjet e mëdhaja. Se kush janë ato, hapni historinë e Shqypnisë. Nuk shkohet n’Shkodër, Vlonë, Korçë e Gjinokastër pa e dit se kush asht themeli.
Së katërti, ka lidhje me sherrin që keni me amerikanët. Na e dimë fort mirë hallin që keni. Asht siklet kur t’kapin për herdhesh. Vetëm se nuk keni gjet kishë ku m’u fal. Na e kena pa RAI-n edhe n’kohën kur në Tiranë flihej në ora 10 të darkës.
Dhe e fundit sa për kulturë, kur shkoni për me zaptu ndonjë godinë, siç deshtët me ba në 8 janar, mos shkoni me kazma e qysqia si në shekullin e 15-të. Merrni me vete ndonji gur fleksibël dhe kishit kry punë për pesë minuta.
Po e lam me kaq si hera e parë.
Ndjeshim mirë për ju dhe ju rujt Zoti!/dritare.net

















