
Raporti javor i të dërguarit të Departamentit të Shtetit për Shqipërinë!
Dritare.net
I nderuar zotëri,
Vazhdoj me mbledhjen e fakteve në Shqipëri dhe duhet të them se gjendja vazhdon kaotike dhe pa sens për një perëndimor.
Po i rendis sipas kronologjisë.
Presidenti i tyre duket nga njerëzit më të rehatuar. Vazhdimisht publikon pamje duke u qethur apo ushqyer shpendë. Është tifoz me një ekip skocez, ç’ka i bie sikur një nga Detroiti të jetë tifoz me ekipin e Buenos Airesit. Thonë që ka qenë njeri më serioz por kohët e fundit po imiton show girl-et për të pasur ndjekës në internet. Për fat të mirë ka hequr dorë nga përdorimi i flamurit amerikan,
Opozita është e përçarë. Pjesa që ka mbajtur godinën ku kanë selinë po zhvillon takime me gra ku vazhdimisht ka sherre të cilat kryetari nuk i ndan dot. Duhet të keni parasysh që gratë e këtushme janë shumë luftarake dhe përdorin duart në diskutimi. Kjo shkaktoi edhe ikjen e një amerikaneje me origjinë shqiptare.
Ish-kryetari i opozitës ka marrë malet. Është duke zhvilluar mitingje në zona ku ende nuk e dinë që ka rënë komunizmi dhe e njohin si sekretar të PPSH.
Qeveria duket në gjendje qetësie. Janë aq qetë saqë shefi i saj ka shpallur një fushatë me titull “Hë mor më thoni ça të bëj ndonjë gjë”.
Ndërkohë ka debat të madh në publik për kryetarin e federatës së futbollit, ose siç i themi ne socer. Ky ka 20 vjet dhe nuk do të ikë akoma por zhvillon votime me kryetarë klubesh fantazmë dhe pa fusha futbolli, ku presidentët e tyre janë në përgjithësi trafikantë femrash, drogash ose vrasës me pagesë. Ndërkohë shumica e gazetarëve që këtu i quajnë analistë, flasin sikur kanë lidhje direkt me drejtorin e CIA-s apo Shtëpinë e Bardhë. Ndaj ju lutem ma sqaroni nëse keni agjentë në terren pasi sa herë ulem të bisedoj me ta, më tregojnë se cilat janë qëllimet e SHBA dhe çfarë duhet të bëjmë ne në Ukrainë apo me Kinën.
Ambasada vazhdon dhe është në vështirësi pasi deklaratat e saj interpretohen sikur janë gjëegjëza.
Vazhdoj të këmbëngul në rritjen e pagës së tyre dhe times pasi nëse vazhdon edhe pak misioni, do të kthehem në bipolar./dritare.net

















