
Rama në mbledhje të qeverisë: Të rilindim Frontin Demokratik
Dritare.net
Të dashur shokë dhe shoqe, pas ngjarjeve të së shtunës, duhet të nxjerrim disa përfundime që të përmirësojmë jo vetëm punën tonë, por edhe të opozitës. Zhvillimet e fundit kanë sjellë paqartësi në kampin demokrat, ndaj ne duhet t’i japim një dorë në mënyrë që beteja e tyre të vazhdojë, në mënyrë që të fitojë më i miri.
Së pari, duhet një rakordim më i mirë mes policisë dhe zotërinjve Berisha dhe Basha që në të ardhmen mos të na krijohen konflikte të tipit “pse e solle para kohe” apo “pse e vonove policinë se desh na vdiqën”. Këto teknalitete nuk dua t’i dëgjoj më!
Së dyti, duhet t’i japim Gaz Bardhit gaz lotsjellës pasi spray me piper i Gridës që përdori, është për gra dhe ata tropojanët nuk para pyesin.
Providenca siç duket e ka caktuar që Gaz Bardhi të ketë lidhje me gazin, ndaj jepini ca rezerva nga ato të policisë dhe mësojeni si hidhet.
Së treti, të shtypet një hartë e thjeshtë me udhëzime sesi shkohet nga stacioni i furgonave tek selia e PD-së ose kryeministria, sipas agjendës që do të kenë vëllezërit opozitarë për objektet që do të sulmojnë. Për këtë duhet të lidheni me shtabin e zotit Berisha që mos të kemi vonesa në shtypjen e fletëpalosjeve.
Së katërti, hapini dyert për ata anëtarë të PD që nuk e shohin veten më pjesë të këtij konflikti. Për këto prurje duhet të krijojmë edhe Frontin Demokratik që të marrë pjesë në zgjedhjet e radhës si organizatë më vete, pasi nuk mund ta lemë pluralizmin politik pre të tekave të Berishës dhe Bashës.
Mendojmë që kjo javë do të jetë e qetë derisa Berisha të mbledhë veten, se helbete, moshë e shkuar dhe duhet parë mundësia e gjetjes së një 'personal trainer' për të në mënyrë që ta sjellim në formë për sezonin e dimër-pranverës./dritare.net

















