
Pas patave të liqenit, presidenti kalon ditën me pulat e Mand Dukës
Dritare.net
Presidenca sot ka marrë frymë lirshëm pas atentatit që iu bë Mand Dukës në shtëpi.
Kishte disa ditë që stafi nuk po gjente ndonjë kaproll që ta vendosnin në lulishten e presidencës dhe ku dilte Meta e përkëdhelte. Por atentati ju siguroi dy ditë xhirime.
Në ditën e parë është menduar që presidenti të bëjë vizitë në shtëpinë e Mandit dhe të dënojë aktin. Pas kësaj do t’i kërkojë policisë që mos të fshehë lidhjet e atentatorit me Lali Erin. Do ishte mirë që për këtë rast të gjendej e fshehur në shtëpinë e atentatorit edhe ndonjë pako me lekë të lidhura me shiritin “Bashkia Tiranë”, mirëpo pas mungesës së profesionalizmit të atentatorit që nuk bëri as 12 orë të kapej, kjo u la për një herë tjetër.
Në ditën e dytë është menduar që të shkohet në pulari ku presidenti do ushqejë pulat. Pas kësaj do recitojë një strofë nga poezia e Naim Frashërit “Bagëti e bujqësi” por këtë radhë pa luajtur duar e këmbë, pak a shumë si Kozma Dushi në festivalet para vitit ‘90-të.
Nëse ka mungesë bashkëpunimi nga ana e pulave të Mandit, është menduar që presidenti të shkojë në një market “Go Tech” të Mandit dhe të godasë një lavatriçe duke shqiptuar frazën “Mandi i bën dhe nuk ka dinamit që i shkatërron” ose ta bëjë në lulishten e presidencës me shikim nga kryeministria./dritare.net

















