
Të dashur artdashës dhe artdashëse. Më keni akuzuar kohët e fundit se unë tradhtova teatrin dhe u bëra mashë e Edi Ramës.
Kjo akuzë më ka vrarë shumë shpirtërisht. Aq shumë saqë nuk më ka rënë në mend të bëj atë programin që bëja gjatë karantinës sesi të lajmë enët dhe bëjmë pompa tek lavamani në të njëjtën kohë.
Lere pastaj se ç’ka hequr Iliri, i cili as guxon të më flasë me gojë. Por edhe ai është i mërzitur. Dhe nuk kemi faj. Ka dy ditë që Sasha, maçoku jonë, është bërë kaps. Po, po. Nguroja t’ia u thoja sepse e di që do mërziteshit edhe ju, sidomos këta të forumit rinor të lësëisë, por dhimbjen është më mirë ta ndash, sepse siç ka thënë Fjongoja më duket, kur dhimbja ndahet, nuk mbetet njësoj. Si thatë, e ka Frojdi? E mo mirë, se ku merr vesh ky popull.
Kemi dy ditë që nuk dimë ku ta çojmë Sashën. Se këtu mjekësia është në ditë të hallit. Lëre pastaj veterinaria. I thamë edhe Bamirit mos e vizitonte, por ai na e preu shkurt që ka hequr dorë nga zanati.
Halli i dytë është puna e pareve. Këtu jemi mërzitur të gjithë. Ne si parti e parimeve të shëndosha, ky i gjati ka ca muaj nuk na jep asnjë tender. Kjo ka bërë që të çorientohemi se nuk dimë ku shkojnë paratë e popullit. Do t’ia ha veshin fare plehrës.
Më ndryshe Lali Eri. Është treguar më transparent dhe jep ca lekë, prandaj e shikojmë një çike më ndryshe punën e tij.
Po edhe doktori ka shqetësimin e vet në këtë pikë. Kalamajve të tij ju del pensioni vetëm 70 qindarka. Dhe nuk e zë gjumi, se helbete, edhe pak dhe ka për të ikur nga kjo botë, dhe po i le vetem me prona dhe vetëm ca miliona euro të qelbura pare të thata.
Edhe Luli, i urtë është, por ka halle edhe ai. Shkon apo jo tek shtëpia në Holandë, taksat duhet t’i paguajë, se nuk të falin ata. Gon Papuli i ka thënë që unë nuk mund të paguaj edhe taksat e Holandës, por vetëm këto të dy vilave këtu. Po mendon ta japë pallatin tek stadiumi me qera, por ka frikë se ja prishin, sesa e kishte rikonstruktuar, kur ra tërmeti. Po tani edhe eurot e rrugës së kombit po mbarojnë. 220 milionë të qelbura ishin ato, dhe dihet që jeta ka shpenzime. Po edhe këta të mitingjeve kanë filluar e risin pazarin.
Na mban shpresa që kur Rama tha se “teatri i ri do bëhet me pëlqimin e të gjithëve” e hedh llafin që ta ndajë tresh qarin. Si tek unaza. Por dihet që ai e dredh. Ndaj jemi të shqetësuar.
Ky ka qenë shkaku që atë natë nuk pata kohë të shtrihesha dhe të na kalonte policia sipër.
Tani po iki. Mos harroni që është Nata e Kadrit dhe momenti për të larë gjynahet! Për ju e kam llafin.
Se më ra ndër mend tani, po ata plehrat e italianëve si nuk kishin futur një fije hekuri tek teatri, që ta shisnim ne për skrap, ë?!
Nejse. Ika se po mjaullin dhe Sasha. Ishalla ka dhjerë sot, se kush e mban merakun e Ilirit./dritare.net

















