
I dashur Lulzim,
Emrin tënd unë e kam mësuar shumë vonë jo vetëm për faktin se këtu ku jam nuk para i kushtojmë rëndësi politikës, por edhe sepse aq shumë politikanë e ministra që nxirrni ju, e kam të vështirë t'i mbaj mend emrat.Në kohën time kush bëhej ministër dilte në pension në atë karrige, të kuptohemi, nëse nuk hante koqen e plumbit.
Emri jot m'u fiksua kur erdhi Nexhmija këtu tek unë dhe u bashkuam. Ajo na tregoi për ty, sa shumë më ngjaje në të ritë tim por që kishe frikë edhe të dilje për gjah pale të vrisje njerëz. Edhe nga bisedat që bëmë me Stalinin na rezultoi që ti ishe djalë pa koqe. Dmth tip Nako Spiru.
Mirëpo tani kam filluar e të ndjek me vëmendje për shkak edhe të pushimeve të festave. Dhe ke filluar e më pëlqen more djalë. Jo se ngjan me mua. Se të ishte për mua Saliu do kishte ngrënë me kohë gjysmën e lekut. Por po më pëlqen që po më merr hak.
Dëgjoj që të thotë besprerë. Mos u shqetëso se më besprerë se ai nuk ka. E kemi ftuar në shtëpi dhe vënë në këndin e oxhakut, e kemi ftuar për ditëlindje dhe sebepe dhe në fund na ra hasha të gjithëve.
Më ra hasha mua, Hisniut, Simonit e deri Ramizit. Ama ti po na e merr hakun të gjithëve. E ke lënë tek oborri duke ardhur vërdallë. Hallall more djalë. Më thotë edhe Nexhmija që do të donte të rronte edhe nja dy vjet sa ta shikonte Saliun të telendisur në këtë ditë.
Të isha gjallë do ta jepja një dekoratë. Dmth dekoratat si ato të miat që donte bithë ti merrje, jo si këto të këtij nipit të Sulos. Vetë Sulua më thotë që nipçja e bën nga rakia që e ka filluar në moshë të madhe, por nejse, se u largova nga tema. Tani të vijmë tek rendi i ditës, siç thonim ne në biro kur donim t'i bënim gropën ndonjërit.
Ai jatroi ka thënë që në datë 8 do sulmojë zyrat. Mos çaj kokë. Qeni që leh nuk të ha, themi ne nga Gjirokastra. Ta kishte me gjithë mend ty do të kishte kënduar qyqja me kohë në tratët e shtëpisë. Se ai është nga komunistët e ‘68-ës që i zinim me shurrën e mëngjesit dhe jo të “41-it.
Nëse ke frikë, merr nja dy të kobures, siç i kemi thënë ne dikur, apo të fortë, siç i thoni ju sot. Kur të futet në oborr lajmëro Kadriun t'i fusë një të rrethuar perimetrit të jashtëm dhe pastaj fillo thuaj Sejfullait që çfarë donte në makinën e ambasadës jugosllave.
Dale. Se e ngatërrova me pleniumin e ‘56-ës. E që mos zgjatem se u bëra lëmsh dhe më mbeti në derë Fata Morgana që kërkon fshesë të re se kjo që ka i ka bërë kilometrat dhe nuk ndizet me të parën. E kam realizuar planin deri në vitin 2050 më thotë dhe prandaj më keni dhënë edhe titullin Hero i Punës Socialiste. E di unë çfarë do kjo, po do ja rregulloj burgjitë në datën 6. Për të tjerat lexo nga historia se nuk mbahet karriga me fjalime.
Juaji Enver/dritare.net

















