
Ilir Meta propozon platformën e rithemelimit të PD
Dritare.net
Të nderuar anëtarë të PD,
Duke parë se kohët e fundit nuk jeni ajo partia që njohin shqiptarët;
Duke konstatuar se u rropatët e nuk e morët dot selinë tuaj;
Në kushtet kur nuk zbythët dot as Gaz Bardhin lere pastaj të përmbysni Edi Ramën;
Në situatën kur demokracia shqiptare është në rrezik;
Në gjendjen ekonomike ku nuk po del kokërr leku për ne që jemi presidentë, lere pastaj për ju
Propozoj rithemelimin e PD në bazë të kësaj platforme
1-Lulzim Basha të japë dorëheqjen
2-Të rikthehet në punë roja i PD i cili tregoi përgjegjshmëri të lartë politike duke dhënë dorëheqjen para sulmit
3-Nisur nga sulmi i fundit në seli ku latë nam duke mos hedhur dot një derë, të punohet për bashkimin e pjesës së shëndoshë të PD me LSI në mënyrë që të formohet një bllok unik opozitar dhe i aftë të hapë bravat
4-Sali Berisha të jetë kryetar në detyrë i PD derisa të mbaroj unë mandatin e presidentit
5-Zëdhënës i partisë së re të jetë Tit Vasili, pasi as skuqet as zverdhet çfarëdo deklarate ti japësh për të lexuar
6-Të ngrihen komisione që të hetojnë ku po shkon gjithë ky lek i buxhetit se po na ikën zari për lekë
7-Të hetohet kush i fiton tenderat dhe t’ju bëhet presion që të paguajnë ndonjë lek se nuk mund ti hanë dot të gjitha lekët vetëm
8-Të hetohet se kush do ndërtojë tek oborri selisë së PD dhe të paguajë 50%, përndryshe e ndërtojmë vetë
9-Ti thuhet Bankës së Shqipërisë të na japi ndonjë lek se na u tha zorra tetë vjet në opozitë
10-Ti kërkohet Kontrollit të Shtetit të na japi dosjet e atyre që kanë bërë shkelje se të tjerat e dimë vetë ne
11-Ti kërkohet Lul Bashës që nëse nuk jep dorëheqjen, të na japë gjysmën e fondit për riparimin e PD
12-Ti kërkohet Blendi Çuçit që meqë bombat me gaz lotsjellës po i hamë ne, neve të na jepet edhe tenderi për blerjen e tyre
Le të jetë kjo një platformë bashkimi pastaj kur të marrim pushtetin e gjejmë edhe si do ti ndajmë lekët/dritare.net

















