
I dërguari special informon Departamentin për situatën në Shqipëri!
Dritare.net
I nderuar Zotëri,
Sipas udhëzimeve tuaja kam ardhur dhe konstatuar situatën në Shqipëri e cila rezulton si më poshtë.
Pavarësisht deklaratave pa dorashkat e zakonshme diplomatike që bën përfaqësia jonë, këtu i interpretojnë sipas qejfit.
Situata në vend vazhdon dhe është kaotike.
Ndër personazhet kryesorë vazhdon dhe mbetet njëfarë Ngjela që këtu njihet si avokat. Ai vazhdon dhe flet në emër jo vetëm të Departamentit por edhe të agjencive të inteligjencës që kemi në terren. Në këtë kuadër do të dëshiroja të dija nëse ky person ka ndonjë linjë komunikimi direkte me Presidentin apo flet qesim? Pasi në dijeninë time përveç presidentit dhe këtij tipit, asnjë tjetër nuk ka raportet e Departamentit dhe të inteligjencës njëkohësisht.
Vazhdon në vend klima antisorros. Nuk arrij ta kuptoj fiksimin që kanë politikanët shqiptarë me Sorosin, pasi ky nuk është as më i pasuri i Amerikës dhe me sa di unë është në prag të vdekjes. Shpjegimet janë nga më të ndryshmet. Dikush thotë që Ilir Meta e bën se do t’i vejë gjobë, dikush tjetër se Berisha mendon që i ka dhënë lekë Lulit, kurse ca të tjerë zihen me kryetarin e fondacionit te Soros në Tiranë me arsyen pse nuk u jep lekë edhe atyre por vetëm dashnoreve të tija.
Ndërkohë vazhdon përdorimi i simboleve tona nga të gjitha palët. Shpesh më ngjajnë me ata qentë e rrugëve që i qepen pas një kalimtari të rastësishëm duke tundur bishtin me shpresë se ai do t’i marrë në shtëpi.
Pas sulmit të 8 janarit ku palët u përleshën për selinë e PD, ka një qetësi relative. Flitet se palët po bien dakord sesa përqind të vlerës së pallateve që do të ndërtohen aty do marri secili. Këtu ka ndërhyrë një gazetar me emrin Blerim, Blendim, Besim, Bekim, (dmth diçka e ngjashme me blenderin) i cili po negocion në emër të pronarëve.
Ndërkohë presidenti i vendit vazhdon me fiksimin e tij për ta vrarë në Malin me Gropa vetëm se pasi i kujtuam që nuk harxhojmë një raketë që vlen 10 milion dollarë për tekat e tij dhe duhet të na sugjeronte një armë më ekonomike, nuk e përcakton më armën. Gjithashtu ka informacione për përdorim nga ana e tij të një pijeje vendase që quhet raki dhe në ndryshim nga njerëzit në botë që pinë të qetësohen, këta i bën shumë agresivë dhe kërkojnë dyluftime me ne, ose sipas rastit me Rusinë apo Kinën.
Në vazhdimësi do ju mbaj në dijeni për situatën.
Në mbyllje rekomandoj rritjen e rrogës së personelit që shërben këtu të paktën në nivelin e mjekëve të spitaleve psikiatrike./dritare.net

















