Na ndiqni edhe në

Ora e Gallatës

Departamenti i Shtetit sqaron Lulzim Bashën pse shpalli Berishën “non grata”!

Departamenti i Shtetit sqaron Lulzim Bashën pse shpalli Berishën

I dashur Luli,

Së pari urojmë që kjo letër të gjejë mirë ty dhe familjen.

E kuptojmë shqetësimin tënd lidhur me shpalljen që i bëmë si i padëshiruar Berishës dhe familjes. Ti je djalë mirënjohës dhe është e kuptueshme që shqetësohesh për njeriun qe të rriti me duart e veta. Dhe ne ia lëmë këtij shqetësimi edhe letrën që na kishe nisur për të sqaruar pse e kishim ndërmarrë këtë hap.

Përgjigja e parë që na erdhi në mend ishte “f*ck you”. Kjo nisur nga fakti se nuk na ndodh shpesh që të na kërkojmë shpjegime se çfarë bëjmë ne me shtetin tonë. Është një lloj standardi që quhet “sovranitet” dhe për të cilën ne jemi shumë xhelozë. Ti ke qenë ministër i Jashtëm dhe duhet ta dish që asnjë shtet, madje as një shtet rrëjbythje si ai juaji nuk jep shpjegime pse nuk jep një vizë apo kur e shpall një person të padëshiruar.

Gjithsesi ne ia lamë shqetësimit tënd këtë veprim, që babai jot shpirtëror hëngri këtë tullë të papritur. Dhe të mirëkuptojmë.

Tani ti kërkon arsyet. Na ka ndodhur edhe më parë një fenomen i tillë. Përshembull edhe Sadami kur u dënua me varje kërkoi arsyet. Dhe ne ja nisëm me postë. Tjetër punë se posta u vonua dhe kur arritën arsyet, Sadami kishte tri ditë që bënte lavjerësin në litar.

E njëjta gjë na ndodhi edhe me Milosheviçin. Edhe ai kërkonte arsyet. Por ça t'i besh që posta shkon me vonesë dhe atë ditëziun e la zemra.

Tani ti kërkon arsyet pse ne shpallëm “non grata” Salën. Je i lezeçëm. Dmth ti që nuk bën dot zap as një tufë kaçakësh në PD na kërkon arsyet ne!

Këtë hap ndaj nesh zakonisht e ndërmerr shumë rrallë Kina ose Rusia. Ose ndonjë tip që i ka ardhur ngordhja. Por ne po e marrim me sportivitet, meqënëse është edhe prag pranvere. Gjithsesi ti thuaji plakut që tënden e bëre, por ne nuk ta varëm.

Shpresojmë të dëgjohemi rishtas. Letrat e tua na e bëjnë ditën zbavitëse, sidomos kur kemi përplasje me Kinën apo këtë kastravecin e Koresë së Veriut dhe telashet na marrin frymën.

Të urojmë një fundjavë të qetë.

Me respekt,

Roja i derës së jashtme DASH!/dritare.net