
Departamenti i Shtetit shqetësohet nga kërkesat e Metës
Dritare.net
I dërguari i Departamentit të Shtetit në përmbledhjen javore që i ka nisur qendrës, ka disa problematika të reja. Ja çfarë shkruan ai:
I nderuar Zotëri,
Situata në Shqipëri vazhdon dhe mbetet kaotike, kjo për shkak të lëvizjes së presidentit të vendit.
Presidenti i cili gjendet në atë që ne e quajmë impeachment për shkak të gjuhës që përdori gjatë zgjedhjeve, shpjegoi për publikun se frazën “rrëmbeni sfurqet” (sfurku është një tip piruni i stërmadh) e ka pasur në mënyrë metaforike për rrëmbeni pirunët dhe hani e pini.
Kjo është e besueshme pasi kohët e fundit zotëria në fjalë ka filluar dhe lexon shumë poezi të cilat nuk nguron t’i recitojë edhe gjatë intervistave televizive, madje edhe në një gjuhë që ai thotë se është anglisht.
Shkarkimi i tij është në dorë të Gjykatës Kushtetuese e cila përbëhet nga anëtarë që në karrierën e tyre kanë dënuar hajdutë pasqyrash makine apo konsumatorë hashashi, por thonë që e kanë me siklet të dënojnë një president pasi e kanë për herë të parë. Madje i kishin kërkuar presidentit të shpjegonte se çfarë donte të thoshte me fjalët “rrëmbeni sfurqet”?
Ndërkohë gjykata dënoi ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahirin me argumentin se kishte shitur një makinë dhe ata që kishin blerë makinën kishin bërë tregti hashashi, i cili ishte çuar në Itali. Vetë italianët dënuan me arrest shtëpie një tip që ngjante si karrocier, por akuza shqiptare thoshte që ky është përgjegjës për financën e lartë dhe pastrim parash. Ky pas dy muaj krisi e iku nga shtëpia.
Shtypi i majtë nxori edhe foton e gjykatësit që e dënoi, për të cilin në fillim u mendua që ishte meme, por më vonë mësuam që ishte person real.
Kemi tentuar të takojmë kryeministrin por ky nuk na pret me argumentin se “me këtë opozitë do të bëj nja tre vjet pushime se më duhet të përgatitem për mandatin e katërt”.
Në raportin e radhës do ju shkruaj edhe për gjendjen e ambasadës dhe zhvillimet e reja./dritare.net

















