
Berisha sqaron çfarë e pyetën në prokurori dhe si u sollën prokurorët
Dritare.net
Të dashur demokratë dhe demokrate,
Sot shkova në prokurori. Nuk kisha qenë ndonjëherë dhe thash të mos vdes pa e provuar. Ata djemtë dukeshin që ishin demokratë të vërtetë dhe vetëm nga frika e narko-shtetit bënin sikur mbanin distancë. Prokurori i Përgjithshëm nisi sekretaren të më pyeste me çfarë do të më qeraste dhe më kërkonte falje që nuk dilte dot të më përshëndeste se kishte frikë se e përgjonte Edvin Rama.
Pastaj ata djemtë e prokurorisë që duhet thënë përsëri se ishin demokratë të vërtetë, u kujdesën të më sqaronin se nuk më kishin thirrur si organizator të protestës por si dëshmitar okular të ngjarjes.
Ju thashë se si dëshmitar mund të sqaroj që protesta shkoi shumë mirë dhe demonstruesit u sollën si demokratë të tërbuar. Por organizatorët, domethënë unë, kishim bërë disa gabime taktike dhe strategjike gjatë sulmit, çka solli edhe dështimin e tij. I sigurova që radhës tjetër do të përgatitemi më mirë.
Ata u kujdesën të shënonin në procesverbal që unë nuk kisha parë gjë dhe ndodhesha aty rastësisht.
Para se të ikja u thashë që ata duhet të hetonin nëse ky Escobari që vjen në Tiranë ka lidhje me Escobarin e Kolumbisë dhe në këtë mënyrë të zbulonin a vjen për punë apo të rregullojë linjat e trafikut me Edvin Drogë Ramën.
Më thanë që ky ishte një sugjerim gjenial që nuk i kishte shkuar në mendje dhe ta vinin në agjendën ditore.
Pas kësaj më përcollën deri tek dera duke më kërkuar falje për shqetësimin dhe kohën që më kishin marrë. I thashë që herën tjetër, nëse do të kishin nevojë për ndonjë sqarim, le të vinin në zyrë.
Këto ishin zhvillimet e sotme dhe unë mendoj që në të ardhmen duhet të përgatitemi më mirë pasi duhet ta marrim patjetër selinë. Ne nuk mund të lejojmë që përqindjen e kullave ta marri Lul Basha dhe Gaz Bardhi kurse ne të ndahemi me gisht në gojë./dritare.net

















