Na ndiqni edhe në

Ora e Gallatës

Berisha: Ja pse dështuam në datën 8!

Berisha: Ja pse dështuam në datën 8!

Pas dështimit të sulmit mbi selinë e PD, Komisioni Rithemelues u mblodh për të analizuar shkaqet e disfatës. Ja konkluzionet e Berishës!

Zonja dhe zotërinj,

Pas një analize të gjatë të faktorëve objektivë dhe subjektivë, kam arritur të zbuloj shkakun pse ne dështuam në sulmin e datës 8.

Kemi probleme me tokën aty. Kur e morëm për seli, pronarët e tokës na mallkuan. Mesa duket mallkimi ka qenë nga një dorë e specializuar pasi është hera e parë që ne dështojmë në sulme të tilla. Ndaj ne duhet të gjejmë se kush është njeriu që ka bërë mallkimin dhe nga kush është prokuruar.

Si fillim mendoj që duhet të përqendrohemi në zonën e Kavajës pasi ajo ka hoxhë me nam në këtë fushë. Nisur nga kjo, besoj se prokuruesi është Gaz Bardhi meqë ka origjinën nga ajo zonë. Me siguri pronarët do të kenë marrë ndonjë premtim që sa të vijë Luli në pushtet do u japë leje që aty të ndërtohet ndonjë pallat.

Në këto kushte para se të bëjmë sulmin e radhës na duhet të prishim magjinë. Shikoni për ndonjë hoxhë nga katundet e Tiranës pasi Hoxhë Ahmeti dhe Elvisi janë bërë shumë komercial dhe rrinë gjithë ditën në fejsbuk. Na duhet një hoxhë bio që merr vesh nga zanati dhe që mbështet kauzën demokratike për rithemelimin e PD-së.

Në këtë kuadër, para nisjes së sulmit duhet t’i pajisim të gjithë sulmuesit me nga një nuskë. Të mos kursehet në çmimin e nuskave pasi është shumë e rëndësishme.

Që të jemi sa më gjithëpërfshirës, duhet të sigurojmë edhe mbështetjen e priftërinjve. Nuk e di si veprojnë këta, por nuk do të ishte keq që ditën e planifikimit të sulmit të bënin nga një lutje për ne. Por gjithmonë vigjilentë dhe të lajmërohen një orë para sulmit pasi këta kanë edhe dashnore dhe ju shpëton goja dhe e merr vesh Luli.

Ndërkohë, porosia e fundit, lidhuni me pronarët e tokës dhe thuajini që edhe ne për pallat e duam selinë. Ne kemi firma ndërtuese vetë dhe japim përqindje të mirë. Nëse merremi vesh për përqindjet, ta tërheqin mallkimin dhe të na lënë të vazhdojmë punën.

Sa më lart duhet të jenë prioritare pasi pa zgjidhur punën me shejtanin, nuk bëjmë dot përpara./dritare.net