Na ndiqni edhe në

Opinione

Vlora është skaneri psiqik i Ilir Metës!

Vlora është skaneri psiqik i Ilir Metës!

Nga Mero Baze

Duhet shpjeguar se çfarë po ndodh në Vlorë, për të kuptuar gjendjen psiqike të Ilir Metës. Para gati dhjetë ditësh pas disa takimesh me Bujar Leskajn, Ilir Meta është bindur se kandidati i LSI-së, që udhëheq listën në Vlorë, Luan Rama “ka tradhtuar”. Nuk ka ndonjë fakt apo ndonjë qëndrim të Luan Ramës, që mund të ngjallë dyshime të tilla, por xhindet i kanë fryrë në vesh Ilir Metës dhe atë e ka shpallur të blerë nga Edi Rama. Ndoshta ngaqë kanë mbiemrin njësoj.

Për këtë ka vendosur të shkojë vetë në Qarkun e Vlorës dhe ta rifillojë fushatën nga e para. Këtë fundjavë ka udhëtuar në Vlorë, Himarë, dhe Sarandë, dhe ka ringritur shtabe të reja, duke u kërkuar të mos votojnë numurin 1 në listë, por numrin 2, që është një grua me emrin Griselda.

Kjo ka krijuar një pështjellim të madh, kur ja ka kërkuar këtë gjë dhe numrit 3 në listë në Sarandë, i cili duhet të vihet tani në dispozicion të numrit 2.

Tërbimi i tij i skajshëm e ka përballur dhe me kryetaren e LSI Kryemadhi dhe njerëzit afër saj, të cilët janë përpjekur ta ndalojnë këtë çmenduri, pa ja dalë dot.

Sot Petrit Vasili u dorëzua dhe bëri thirrje publike që të mos votohet Luan Rama, por nga numri 2 e lart. Postimi i tij është publik në Facebook.

Tani situate në Qarkun e Vlorës është kështu. Luan Rama i shpallur armik ka dalë jashtë fushate. Shtabet e reja të Ilir Metës kërkojnë vota për kandidatin e dytë të listës, ndërkohë që LSI nuk kap dot as vota për një kandidat.

Në fund, mund të rezultojë që nëse arrihet një mandat, atë ta marrë Luan Rama, dhe pastaj të detyrohet prej Ilir Metës t’ia lërë të dytës.

Sikur Edi Rama të kishte ndërmend të blinte vërtet Luan Ramën, nuk do të dinte ta bënte kaq bukur skemën që ta bënte dhe LSI-në qesharake, dhe Ilir Metën ta nxirrte nga faza, dhe të bënte që LSI të mos merrte mandate.

Ilir Meta ja ka arritur kësaj, pa ndihmën e Edi Ramës, por falë paranojës së tij, që e ka çuar në këtë pikë.

Duke qenë i pasigurtë në këtë operacion, që mund ta lërë LSI-në pa mandate në Vlorë, ose t’ia japë mandatin armikut Luan Rama, ai ka vendosur të bëjë një miting të madh më 23 prill në Vlorë, “për mbrojtjen e Kushtetutës dhe zgjedhjeve”, me qëllim që kur ta humbasë mandatin të thotë: “E patë sa vetë mblodha më 23 prill, ku janë votat e 23 prillit?”

Deri atë ditë do ta kemi në Vlorë.

Ka marrë me vete stendën e zyrë së presidentit, ka ngarkuar një veturë me dekorata, dhe troket derë më derë, si “president ambulant”.

Dhe sot, ndërsa shkoi në Pogradec, foli prapë për Vlorën.

Me këto që po bën, mandati i LSI, i cili edhe ashtu ishte i rrezikuar, tani është i humbur. Por ai nuk e do më atë mandat. Ai do një arsye se si të nisë qysh më 23 prill “revoltën” për mos pranimin e zgjedhjeve.

Mirë e ka menduar, por problem është se më 26 prill, kështu si e ka nisur, do t’i dalë armik dhe e dyta, dhe i treti i listës, e kështu me radhë. Boll t’i lavdërojë Damiani në ndonjë kafe. Dhe mitingu i 23 Prillit, “Rama Ik”, do duket më shumë për Luan Ramën, se sa për Edi Ramën, dhe do t’i mundojë njerëzit kot./TemA