
Vendimi i kryesisë e zmadhon Partinë Demokratike!
Dritare.net
Nga Ermal Peçi
Ajo që nisi pa shumë bujë mediatike duket se arriti të sfumojë dhe ngjarjen më të bujshme që ka arritur SPAK-u deri më tani, arrestimin e Vangjush Dakos. Vangjush Dako një ndër elementët më të fortë të Partisë Socialiste në trekëndëshin ekonomik e politik, Tiranë-Elbasan-Durrës. Trekëndëshi më i rëndësishëm që Shqipëria ka. Ajo që nisi si një mbledhje e qetë ditën e martë vazhdoi me tensione dhe diskutime të forta midis deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë. Tensionet e forta politike ishin prezente në dyert e PD-së para se të niste mbledhja, ku pati diskutime midis mbështetësve të PD-së, të cilët me tone aspak të qeta i kërkonin deputetëve të mos ishin të dyzuar herë me Berishën dhe herë me Partinë Demokratike. Situata e tillë vazhdoi dhe brenda dyerve të partisë ku pati debate të forta për mënyrën se si duhet të vepronin, të hapnin rrugën ndaj zgjedhjeve për kryetar të ri. Midis debateve të forta ishte reagimi i Gazment Bardhit numrit dy të Partisë Demokratike, i cili zgjodhi të braktiste mbledhjen dhe së bashku me një grup deputetësh të largoheshin pa përfunduar mbledhjen, situata e acaruar vazhdoi edhe pas daljes nga mbledhja ku pati përsëri debate verbale. Gjatë ditës së sotme ishte e pritshme dhe dorëheqja e Jorida Tabakut, e cila ishte nënkryetarja e vetme nga katër ish- nënkryetar që kishte PD-ja para se të fillonte përplasja politike.
Pse kërcet moralisht oferta politike e deputetëve që kërkojnë bashkim mekanik?
Në fakt ajo që po kërkoj për Partinë Demokratike dukej se po hynte në kalendat greke, platforma për bashkim mekanik, i cili e çonte Partinë Demokratike tek Sali Berisha duke e supozuar shumicë, kërciste politikisht. Ajo që kërcet në të gjithë këtë çështje është se vetë Partia Demokratike apo deputetët që e mbështesin këtë proces mekanik në kongresin e 18 dhjetorit votuan vetë për përjashtimin e individëve nga Partia Demokratike, të njerëzve të cilët janë shpallur non-grata nga SHBA-të të përjashtohen nga kjo parti pavarësisht se kush janë apo çfarë posti kanë. Ishte ky vendim politik, i cili atë parti e ndau përfundimisht me Sali Berishën. Sikur të mos mjaftonte vetëm ky vendim janë dhe deklaratat e ambasadores amerikane dhe të dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar mbi qëndrimet që do të mbajë SHBA dhe partnerët strategjikë mbi njerëzit e dizenjuar.
Pse vendimi i djeshëm e zmadhon Partinë Demokratike?
Vendimi i kryesisë së Partisë Demokratike mbi të gjitha është një momentum për këtë parti, e cila më në fund u zgjua dhe bëri një kthesë historike për t`u futur në betejë dhe në përballje. Në fakt unë kam menduar që ditën e parë që Partia Demokratike duhet të hynte në betejën e 14 majit me 61 kandidatë pavarësisht se çfarë ndodhte, në humbte thellë apo jo, pavarësisht presioneve dhe sulmeve, përballë të cilave ndodhej ajo. Vendimi i ditës së djeshme i jep frymëmarrje një partie, e cila realisht ka nevojë për oksigjen dhe një ambient të pa infektuar. Vendimi i djeshëm i jep mundësi Partisë Demokratike të hyjë në garë dhe për të konsoliduar më në fund çdo qelizë të saj me një filozofi të re politike dhe jo vetëm kaq, por mbi baza ideologjike dhe kthimin e meritokracisë e garës brenda partisë. Vendimi i djeshëm i hap rrugë zmadhimit të Partisë Demokratike duke e larguar nga e shkuara dhe duke kërkuar elementë politikë, të rinj, kurajozë, të cilët mund të dalin në betejë si pengje të askujt. Tashmë figurat, të cilët do të kandidojnë për kryetar të Partisë Demokratike do të duhet të hapin partinë duke lejuar garën për të sjellë një frymë ndryshe në politikën shqiptare. Dita e djeshme edhe pse duket si një ditë pa shumë rëndësi në thelb është dita nga ku nisi reflektimi, se si PD të zmadhohet e mos të shuhet./dritare.net

















