Na ndiqni edhe në

Opinione

Shqipëria pa filtra që u prezantua në Berlin

Shqipëria pa filtra që u prezantua në Berlin

Nga Mira Kazhani

Berlini nuk është qyteti që do doja të jetoja, sepse jam njeri dielli. Por bëj pjesë tek shumica që e kanë një mahnitje për lirinë, shpirtin e këtij qyteti dhe sigurisht rregullin.

Kohët e fundit, kudo që shkoj, mendoj që Shqipëria jonë ka dritën më të bukur në botë. Nuk ka si Mesdheu dhe pikë! Edhe pse mesdhetarët nuk janë njerëz me zell, ndoshta edhe ngaqë kanë diell.

Më ka qëlluar që të jem edhe në ITB Berlin, panairin e turizmit në mars të 2024-ës edhe këtë vit ku Shqipëria kishte vendin e nderit.

Me prezantimin që bëri Shqipëria na nderoi vërtet.

Mirela Kumbaro, ministrja e Turizmit ka qenë një nga njerëzit më të përkushtuar në këtë projekt. E di që “tradita” na e do t’i kritikojmë politikanët, por në këtë rast Kumbaro ishte kumbara e një prezantimi dinjitoz.

Shqipëria në dokumentarin e lidhur me numra real në skenë të trupës së baletit të TKOB apo grupe polifonike të kombinuara nga pianoja e Robert Bishës sollën një Shqipëri reale, bashkë me bukurinë, por edhe ato paradosket e zhvillimit. Nuk ishte një Shqipëri me filtra. Ishte ajo që shohim në çdo ditë, por e kthyer në art, nga skuadra e Ministrisë së Turizmit, nga njerëzit që punuan 1 vit rresht për këtë shfaqje.

Ishte një punë që dukej se i kishte mbledhur të gjithë bashkë për një prezantim.

Nuk e di se sa të lumtur ikin 11 milionë turistët nga Shqipëria. Dhe këto vite shansi për Shqipërinë do të vendosë fatin e saj për të ardhmen.

Po kur shikoja harmoninë e balerinëve dhe dokumentarin, mendoja që kemi kaq shumë talente dhe shpirt qytetar. Një harmoni që nuk e kemi në jetën tonë të përditshme, por që mund ta ndërtojmë atë nëse kemi pak vullnet dhe shumë dashuri.

Krah meje ishte një gjerman që filmoi tërë kohës dhe në fund kur shfaqja mbaroi, më tha:

"Do të vij në Shqipëri bashkë me gruan. Unë jam ambasadori gjerman në Costa Rica.

Jam i mahnitur me këtë që pashë. Duhet të jeni shumë krenarë për vendin tuaj të bukur".
Në tre ditët e panairit të turizmit, janë 100 operatorë turistikë, hotelierë, biznese të mëdha që do t'u tregojnë të huajve pse dera e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut./tiranapost